E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË PALËS SHQIPTARE, PJESËMARRËSE NË OPERACIONIN USHTARAK “EUFOR TCHAD/RCA”, TË BASHKIMIT EVROPIAN

V E N D I M

PËR

PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË PALËS SHQIPTARE, PJESËMARRËSE NË OPERACIONIN USHTARAK “EUFOR TCHAD/RCA”, TË BASHKIMIT EVROPIAN

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të aktit normativ nr.3, datë 28.5.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për dërgimin në Republikën e Çadit dhe Republikën e Afrikës Qendrore, si kontribut i Republikës së Shqipërisë, të një kompanie të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për të marrë pjesë në operacionin “EUFOR TCHAD/RCA”, të Bashkimit Evropian”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministria e Mbrojtjes, brenda fondeve buxhetore, vjetore, të përballojë shpenzimet, në mbështetje të forcave shqiptare, pjesëmarrëse në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian në Republikën e Çadit dhe Republikën e Afrikës Qendrore (operacioni “EUFOR TCHAD/RCA”), si shpenzime të drejtpërdrejta kombëtare, për:

a) evakuim mjekësor strategjik;

b) ndërlidhje strategjike;

c) shërbim postar dhe veprimtari të tjera zyrtare.

2. Efektet financiare, në vlerën 7 920 000 (shtatë milionë e nëntëqind e njëzet mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.

3. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I


SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›