V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR RRËSHEN-KALIMASH
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR RRËSHEN-KALIMASH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “ Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe tё nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.11.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, tё ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash.
2. Shpronësimi tё bëhet në favor të Drejtorisё sё Pёrgjithshme tё Rrugёve.
3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelёn, qё i bashkёlidhet kёtij vendimi, për sipërfaqen 111 988 (njëqind e njëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë) m2 tokë/arë, me çmimin 650 (gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë/m2, me vlerё 72 792 200 (shtatëdhjetë e dy milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e dyqind) lekë, për sipërfaqen 7 160 (shtatë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) m2 , tokë/truall, me çmimin 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë/m2, me vlerë 10 740 000 (dhjetë milionë e shtatëqind e dyzet mijë) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 83 532 200 (tetëdhjetë e tre milionë e pesëqind e tridhjetë e dy mijë e dyqind) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 83 532 200 (tetëdhjetë e tre milionë e pesëqind e tridhjetë e dy mijë e dyqind) lekësh, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
6. Shpronësimi të fillojё më 30.1.2009 dhe tё përfundojë më 30.3.2009.
7. Pronarët e shënuar në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim ZRPP”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë parqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
8. Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve tё likuidojë pronarët e shënuar në listë, në përputhje me dokumentacionin e pronësisë, që do t’í vihet në dispozicion nga pronarët.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
02/02/2009