V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “UNAZA VERIORE, KORÇ˔
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “UNAZA VERIORE, KORÇË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, (tokë truall), që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Unaza veriore, Korçë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 581 (pesëqind e tetëdhjetë e një) m2, tokë truall, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 10 655 540 (dhjetë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e dyzet) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 221 000 (dyqind e njëzet e një mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 10 655 540 (dhjetë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e dyzet) lekë, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
6. Shpronësimi të fillojë në korrik 2009 dhe të përfundojë më 30.9.2009.
7. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim ZRPP”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
8. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim ZRPP, bashkëpronësi”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë origjinal të pronësisë, sipas bashkëpronarëve, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
9. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të bëjë likuidimin e pronarëve, sipas listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në përputhje me dokumentacionin e pronësisë, që do t’i vihet në dispozicion nga pronarët.
10. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
01/07/2009