E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2009, MIRATUAR, PËRKATËSISHT, PËR BASHKITË VORË, MEMALIAJ E BERAT

V E N D I M 

PËR 

SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2009, MIRATUAR, PËRKATËSISHT, PËR BASHKITË VORË, MEMALIAJ E BERAT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008,  « Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë », dhe të neneve 9 e 12, të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, « Për buxhetin e vitit 2009 », me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1.     Dhënien e një shtese fondi, prej 36 500 000 (tridhjetë e gjashtë milionë e pesëqind mijë) lekësh, në buxhetin e vitit 2009, miratuar përkatësisht, bashkitë Vorë, Memaliaj e Berat, si më poshtë vijon: 

a)     Bashkisë Vorë, 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë, për mbulimin  e humbjeve nga mosrealizimi i të ardhurave, si pasojë e mbylljes së bizneseve, shkaktuar nga aksidenti teknologjik, i datës 15.3.2008, në fshatin Gërdec, të kësaj bashkie.

b)     Bashkisë Memaliaj, 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekë, për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, të formës së prerë.

c)     Bashkisë Berat, 8 500 000 (tetë milionë e pesëqind mijë) lekë. Ky fond të përdoret, si më poshtë vijon :

i)      5 000 000 (pesë milionë) lekë, për blerje karrigesh dhe pajisjesh për qendrën kulturore «Margarita Tutulani»;

  ii) 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekë, për pastrimin e shtratit të lumit Osum nga aluvionet, në zonën, që ndodhet ndërmjet dy asambleve muzeale «Gorricë» e «Mangalem».

2.     Fondi, prej 36 500 000 (tridhjetë e gjashtë milionë e pesëqind mijë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

3.     Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, bashkia Vorë, bashkia Memaliaj dhe bashkia Berat për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


01/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›