V E N D I M PËR TRAJTIMIN E KREDIVE TË TRANSFERUARA NGA BANKAT E NIVELIT TË DYTË, ME KAPITAL TËRËSISHT SHTETËROR, NË AGJENCINË E TRAJTIMIT TË KREDIVE, KRITERET DHE KUSHTET PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË KREDISË SI DHE PROCEDURAT E MARRJES NË PRONËS
V E N D I M
PËR
TRAJTIMIN E KREDIVE TË TRANSFERUARA NGA BANKAT E NIVELIT TË DYTË, ME KAPITAL TËRËSISHT SHTETËROR, NË AGJENCINË E TRAJTIMIT TË KREDIVE, KRITERET DHE KUSHTET PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË KREDISË SI DHE PROCEDURAT E MARRJES NË PRONËSI TË PASURIVE TË LËNA SI GARANCI OSE JO NGA HUAMARRËSIT, TË ADMINISTRIMIT, SHITJES DHE DHËNIES ME QIRA OSE ME ENFITEOZË TË KËTYRE PASURIVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.9731, datë 10.5.2007, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8894, datë 14.5.2002, “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
TRAJTIMI I KREDIVE TË TRANSFERUARA NGA BANKAT E NIVELIT TË DYTË
1. Agjencia e Trajtimit të Kredive, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, nëpërmjet ndryshimit të marrëveshjes së kredisë me debitorin, ka të drejtë të ristrukturojë njërën prej kushteve të mëposhtme, të parashikuara në marrëveshjen e kredisë së transferuar asaj me debitorin:
a) Faljen e interesave, të kamatëvonesave dhe të gjobave debitorëve, që, në datën e transferimit të kredisë nga bankat, të cilat shumën e principalit e kanë patur deri në 3 (tre) milionë lekë, duke u kërkuar të likuidojnë menjëherë vetëm principalin e transferuar nga bankat apo shumën e mbetur të principalit. Për kreditë e transferuara në valutë, konvertimi bëhet me kursin fiks të Bankës së Shqipërisë, në çastin e transferimit;
b) Faljen e interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, të gjithë debitorëve, që kanë marrë kredi për mekanikë bujqësore (autokombajna, traktorë, makineri e agregate bujqësore), prodhim dhe përpunim të produkteve bujqësore e blegtorale, linjë prodhimi dhe përpunimi të produkteve, bujqësore dhe blegtorale dhe mjete të transportit, pavarësisht nga shuma e principalit të transferuar nga bankat, duke u kërkuar të likuidojnë menjëherë vetëm principalin e transferuar apo pjesën e mbetur prej tij;
c) Faljen, në masën 90 për qind, të interesave, kamatëvonesave, gjobave, të gjithë debitorëve, që, në datën e transferimit të kredisë nga bankat, shumën e principalit e kanë patur mbi 3 (tre) milionë lekë, duke u kërkuar të likuidojnë menjëherë të paktën 40 për qind të principalit të transferuar apo të shumës së mbetur prej tij, si dhe duke vendosur kushtet për shlyerjen e pjesës tjetër. Periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të jetë më e gjatë se 3 (tre) vjet. Për kreditë e dhëna në valutë, konvertimi bëhet me kursin fiks të Bankës së Shqipërisë, në çastin e transferimit. Llogaritja e detyrimit të ri, nëse do të mbetet, do të bëhet duke zbatuar normën e interesit 10 për qind, për kreditë në lekë, dhe 5 për qind, për kreditë në valutë;
ç) Debitorëve, që kanë marrë kredi për banesa ose për përmirësimin e kushteve të banimit, me vendndodhje në rrethet e kategorisë së dytë dhe të tretë, interesat, kamatëvonesat dhe gjobat u falen në masën 100 për qind, dhe huamarrësve, me vendndodhje në rrethet e kategorisë së parë, u falen, në masën 80 për qind. Falja bëhet me kusht që të shlyhet menjëherë, të paktën 40 për qind e principalit të transferuar apo e shumës së mbetur prej tij, si dhe duke vendosur kushtet për shlyerjen e pjesës tjetër. Periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shumë se 3 vjet. Llogaritja e detyrimit të ri, nëse do të mbetet, do të bëhet duke zbatuar normën e interesit 10 për qind në vit, me përjashtim të kredive, që, në marrëveshjen ekzistuese të huasë, normën e interesit e kanë më të ulët;
d) Për debitorët, që kanë vdekur, u kërkohet trashëgimtarëve të tyre të likuidojnë vetëm shumën e principalit të mbetur. Periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shumë se 3 vjet, në varësi të llojit të kredisë, që trashëgohet.
dh) Faljen e të gjitha detyrimeve të transferuara nga bankat, të përbëra vetëm nga interesa, penalitete dhe/apo kamatëvonesa.
2. Në funksion të përllogaritjeve të parashikuara në pikën 1, të këtij kreu, :
a) për të gjithë debitorët, me shumën e principalit të transferuar nga bankat deri në 3 (tre) milionë lekë, të gjitha pagesat e kryera nga çasti i transferimit përllogariten si shuma të paguara për shlyerjen e principalit dhe do të zbriten nga shuma e principalit të transferuar;
b) për të gjithë debitorët, me shumën e principalit të transferuar nga bankat mbi 3 (tre) milionë lekë, të gjitha pagesat e kryera nga çasti i transferimit do të zbriten nga shuma e principalit të transferuar;
c) për debitorët, të cilëve u kanë përfunduar procedurat e shitjes së kolateralit dhe janë sërish debitorë të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, kërkohet likuidimi i vetëm 50 për qind e detyrimit të mbetur;
ç) debitorët, që kanë lidhur kontrata ristrukturimi, në bazë të akteve, ligjore e nënligjore në fuqi, para datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, gëzojnë të drejtën e trajtimit, sipas këtij vendimi;
d) kur në marrëveshjen ekzistuese të kredisë janë përcaktuar norma interesi më të ulëta se ato të përcaktuara në shkronjat “c” e “ç”, të pikës 1, të kreut, të këtij vendimi, do të zbatohen normat e interesave, të përcaktuara në marrëveshjen ekzistuese.
3. Detyrimet e transferuara nga bankat, të përbëra nga shpenzime gjyqësore dhe/apo përmbarimore nuk falen.
KREU II
PROCEDURAT E MARRJES NË PRONËSI TË PASURIVE TË LËNA SI GARANCI OSE JO NGA DEBITORËT, TË ADMINISTRIMIT, SHITJES E DHËNIES ME QIRA OSE ME ENFITEOZË TË KËTYRE PASURIVE
1. Këtij vendimi i nënshtrohen të gjitha pasuritë e lëna si garanci ose jo nga debitorët e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, të cilat kalojnë në pronësi të saj, si pronë shtetërore, pasi nuk janë shitur në ankandet e zhvilluara nga përmbaruesi gjyqësor, në zbatim të procedurave ligjore për ekzekutim të detyrueshëm.
2. Marrja në pronësi e pasurive të lëna nga debitorët, sipas pikës 1, të këtij kreu, bëhet me pëlqimin e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, si palë kreditore, kundrejt vlerës së ankandit të fundit, të zhvilluar nga përmbaruesi gjyqësor. ATK-ja e kontabilizon pronën me vlerën e parashikuar nga përmbaruesi gjyqësor në aktin e transferimit.
3. Pas kontabilizimit të pronës, ATK-ja, kundrejt shlyerjes së detyrimit, i propozon debitorit kthimin e sendit të marrë në pronësi. Debitori duhet të kthejë përgjigje brenda 30 ditëve nga data e njoftimit.
4. Pas kalimit të këtij afati, Agjencia e Trajtimit të Kredive përgatit dosjen për shitjen me ankand. Procedurat e ankandit organizohen nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Shtetërore, pranë Ministrisë së Financave. Si vlerë e pronës, që do të shitet me ankand, do të llogaritet vlera e kontabilizuar nga Agjencia e Trajtimit të Kredive.
5. Ndarja e të ardhurave nga shitja e këtyre pronave, pavarësisht nga lloji, bëhet, si më poshtë vijon:
i) Agjencia e Trajtimit të Kredive 25 për qind;
ii) Buxheti i shtetit 75 për qind.
6. Shuma e përgjithshme, e realizuar nga shitja me ankand e pronës, vlerësohet nga ATK-ja, për efekt të deklarimit të realizimit të të ardhurave.
7. Pronat e kaluara në pronësi të ATK-së, me miratimin e ministrit të Financave, mund t’i transferohen shtetit dhe t’u kalojnë në përgjegjësi administrimi institucioneve shtetërore. Në këtë rast, vlera e pronës, e parashikuar në pikën 2, të këtij kreu, vlerësohet nga ATK-ja, për efekt të deklarimit të realizimit të të ardhurave, dhe kontabilizohet, duke zbritur detyrimin e debitorit.
KREU III
KRITERET E KUSHTET, QË DUHEN PLOTËSUAR PËR ZËVENDËSIMIN E KOLATERALIT DHE EKZEKUTIMIN E DETYRUESHËM
1. Debitori ka të drejtë të kërkojë ristrukturimin e detyrimit, sipas lehtësive të parashikuara në këtë vendim, vetëm një herë. Në rast se debitori nuk u përmbahet kushteve të marrëveshjes së lidhur, kërkohet likuidimi në rrugë ligjore i detyrimit të kontabilizuar në ATK.
2. Zëvendësimi i kolateralit apo debitorit me një pasuri a person tjetër, përveç detyrimeve të parashikuara në Kodin Civil dhe ligjin, që rregullon regjistrimin e pasurive të paluajtshme, realizohet:
a) kur vlera e pasurisë së re, mbi të cilën do të vendoset barra hipotekore, është më e lartë se vlera e pasurisë ekzistuese, të ngarkuar me barrë hipotekore.
b) kur debitori, përpara miratimit për zëvendësimin e kolateralit, arkëton të paktën 20 për qind të detyrimit të transferuar;
c) kur debitori, para fillimit të procedurave për lidhjen e marrëveshjes përkatëse të ristrukturimit, ka likuiduar jo më pak se 40 për qind të detyrimit të transferuar.
3. Çdo debitor, për të cilin ka dalë vendim gjykate, “Për lëshim urdhër ekzekutimi”, pavarësisht nëse është dërguar ose jo për ekzekutim të detyrueshëm në zyrën e përmbarimit, i përfiton lehtësitë e këtij vendimi, vetëm nëse ka parapaguar një vlerë jo më të vogël se 7 për qind të detyrimit të përcaktuar në urdhrin e ekzekutimit apo, kur mungon këtu, të detyrimit të llogaritur deri në datën e lëshimit të këtij urdhri. Kur debitori ka vazhduar të shlyejë vlera monetare pas daljes së urdhrit ekzekutimit, këto vlera zbriten nga detyrimi i ri financiar, që ka huamarrësi, sipas kontratës së ristrukturuar.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT
1. Ngarkohet ministri i Financave të nxjerrë udhëzimin përkatës për zbatimin e këtij vendimi.
2. Përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara në këtë vendim debitorët, të cilët paraqiten deri më 30 prill 2009 në zyrat e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, për të nënshkruar kushtet e reja.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA