V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.153, DATË 7.4.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZBATIMIT TË KODIT RRUGOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRIS˔, TË NDRYSHUAR
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.153, DATË 7.4.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZBATIMIT TË KODIT RRUGOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren për zbatimin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Neni 311 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 311
Mënyrat dhe rrethanat për nxjerrjen e lejes së drejtimit të mjetit
(Neni 119-120 i Kodit Rrugor)
1. Leja e drejtimit të mjetit për kategorinë e kërkuar merret pasi personi i interesuar është regjistruar në një autoshkollë dhe:
a) ka kryer pranë saj programin e njohurive teorike, për kategorinë e kërkuar, dhe kalon provën e kontrollit të këtyre njohurive me rezultat pozitiv, pranë sektorit përkatës të DRSHTRR-së.
b) ka kryer programin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, pranë autoshkollës, dhe kalon provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes, me rezultat pozitiv, pranë sektorit përkatës të DRSHTRR-së.
2. Personi i interesuar për të hyrë në prova për lejedrejtimi të mjetit, në zbatim të nenit 119, të Kodit Rrugor, paraqet, nëpërmjet drejtuesit teknik të autoshkollës, në sektorin përkatës të DRSHTRR-së, dokumentacionin e nevojshëm, që përmban:
I. Për provën e kontrollit të njohurive teorike
a) Kërkesën për të marrë pjesë në provë, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR -ja;
b) 4 (katër) fotografi, me ngjyra, me përmasa 4x5 cm;
c) Dokumentin e identifikimit (certifikatë lindjeje, me fotografi, ose kartë identiteti, dhe për shtetasit e huaj, pasaportë);
ç) Vërtetimin e banimit;
d) Certifikatën mjekësore, jo më përpara se tri muaj nga data e paraqitjes së kërkesës, për të marrë pjesë në prova;
dh) Dokumentin e përcaktimit të grupit të gjakut dhe rehzusin;
e) Lejedrejtimin e automjetit të kategorisë së mëparshme (në qoftë se ka);
ë) Mandatpagesën, për çdo dalje në provë të kontrollit të njohurive teorike, sipas tarifave në fuqi.
II. Për provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes
a) Kërkesën për të marrë pjesë në këtë provë, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR -ja;
b) Autorizimin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, përcaktuar sipas udhëzimit të ministrit, që mbulon veprimtarinë përkatëse, të lëshuar nga DRSHTRR -ja dhe të plotësuar nga autoshkolla;
c) Mandatpagesën, për çdo dalje, në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes;
ç) Mandatpagesën për lejedrejtimi, e cila caktohet në bazë të tarifave në fuqi, plus taksën e pajisjes me lejedrejtimi, në varësi të kategorisë së lejedrejtimit.
3. Sektori përkatës i DRSHTRR-së merr në provën e kontrollit të njohurive teorike personat e interesuar në rastet kur:
a) ky person ka kryer programin teorik për kategorinë e kërkuar dhe ka plotësuar afatet kohore nga data e regjistrimit në sektorin përkatës të DRSHTRR -së, sipas udhëzimit të ministrit, që mbulon veprimtarinë përkatëse;
b) dokumentacioni i paraqitur nga autoshkolla për provën e kontrollit të njohurive teorike të personit të interesuar është në përputhje me kërkesat, e Kodit Rrugor dhe të rregullores, në zbatim të tij. Kur dokumentacioni nuk është i plotë, i kthehet autoshkollës për të bërë plotësimet, brenda 5 (pesë) ditëve;
c) personi paraqitet brenda orarit të kontrollit të njohurive teorike dhe jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga dorëzimi i kërkesës së autoshkollës. Nëse personi i interesuar fiton në provën e kontrollit të njohurive teorike, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga dalja në provë, sektori përkatës i DRSHTRR-së e pajis atë me autorizimin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, me afat kohor një vit. Nëse personi i interesuar nuk e fiton provën, duhet të vazhdojë përgatitjen teorike dhe mund të rifutet në provë vetëm pas 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, deri në pesë herë, por brenda afatit njëvjeçar të regjistrimit.
4. Sektori përkatës i DRSHTRR-së do të marrë në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes personat e interesuar kur:
a) ky person ka kryer programin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, dhe ka plotësuar afatet kohore nga data e marrjes së autorizimit në sektorin përkatës të DRSHTRR-së, sipas udhëzimit të ministrit, që mbulon veprimtarinë përkatëse;
b) dokumentacioni i paraqitur nga autoshkolla për provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes së personit të interesuar është në përputhje me kërkesat e Kodit Rrugor dhe të rregullores, në zbatim të tij. Kur dokumentacioni nuk është i plotë, i kthehet autoshkollës për të bërë plotësimet, brenda 5 (pesë) ditëve;
c) personi paraqitet brenda orarit të provës së verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes dhe jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e dorëzimit të kërkesës së autoshkollës. Nëse personi i interesuar fiton në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes dhe dokumentacioni është i plotë, jo më vonë se 7 (shtatë) ditë nga dalja në provë, sektori përkatës i DRSHTRR-së e pajis atë me lejedrejtimi, për kategorinë e kërkuar. Nëse personi i interesuar nuk e fiton provën, duhet të vazhdojë përgatitjen e aftësive drejtuese dhe të sjelljes dhe mund të rifutet në provë vetëm pas 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, deri në pesë herë, por brenda afatit njëvjeçar të autorizimit të ushtrimit të drejtimit të mjetit.
5. Komisioni i marrjes në provë për kontrollin e njohurive teorike duhet të ketë dy anëtarë, inxhinierë mekanikë. Gjithashtu, në këtë komision mund të marrë pjesë, pa të drejtë vote, drejtuesi teknik i autoshkollës, që ka përgatitur personat e interesuar, për provën e kontrollit të njohurive teorike.
6. Komisioni i marrjes në provë të verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes duhet të ketë, detyrimisht, dy anëtarë inxhinierë mekanikë, të pajisur me të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit dhe të autorizuar nga DPSHTRR-ja. Ky komision merr në provë personin e interesuar, në prani të instruktorit të tij të praktikës.
7. Komisioni i marrjes në provë të kontrollit të njohurive teorike dhe komisioni i marrjes në provë të verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes kanë për detyrë, respektivisht, të vlerësojnë njohuritë teorike dhe të kontrollojnë njohuritë praktike e të sjelljes të personit të interesuar, sipas programeve të kategorive të lejeve të drejtimit, të përcaktuara nga ministria, që mbulon veprimtarinë përkatëse. Modeli dhe formulari i testeve të njohurive teorike, sipas kategorive të lejeve të drejtimit, përgatiten nga DPSHTRR-ja. Modeli i testeve ndryshohet në vazhdimësi. DPSHTRR-ja duhet të njoftojë autoshkollat, 30 ditë përpara se të zbatojë modelet e reja për provën e kontrollit të njohurive teorike të personave të interesuar.
8. Në përfundim të provave, për çdo person të interesuar, që fiton lejen e drejtimit, plotësohet dosja përkatëse. Mbi të vendoset emri, mbiemri, atësia, amësia, datëlindja, vendlindja, vendbanimi dhe numri i protokollit. Dosja, me të gjitha dokumentet, ruhet në kartotekën e sektorit përkatës, të DRSHTRR-së.”.
2. Pikat 3, 7, 8, 10, 11 e 12, të nenit 313, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Personi, fizik e juridik, shoqëritë dhe entet, që kërkojnë leje për hapjen e autoshkollës, duhet të plotësojnë kërkesat e nenit 121, të Kodit Rrugor.
...
7. Regjistrimi i personave të interesuar për t’u pajisur me lejedrejtimi, bëhet nga vetë autoshkolla. Ajo nuk mund të regjistrojë persona të interesuar për t’u pajisur me lejedrejtimi jashtë juridiksionit të DRSHTRR-së, me përjashtim të studentëve të ardhur apo me qëndrim të përkohshëm, brenda këtij juridiksioni. Përpara fillimit të kursit, gjenealitet e personave të interesuar për t’u pajisur me lejedrejtimi i dërgohen, zyrtarisht, sektorit përkatës të DRSHTRR-së.
...
8. Përpara çdo prove të njohurive teorike ose të verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes, autoshkolla dorëzon kërkesën, në dy kopje, në sektorin përkatës të DRSHTRR-së, i cili përditëson kërkesën me dokumentacionin e personit të intresuar për t’u marrë në provë, dhe jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga paraqitja e kërkesës i jep të drejtën për të hyrë në provë, duke dorëzuar një kopje të kërkesës së plotësuar. Komisioni merr në provë personat e interesuar, që kanë kërkesën të plotësuar nga sektori përkatës i DRSHTRR-së. Pas përfundimit të provave, komisioni harton procesverbalin, sipas modelit të miratuar nga DPSHTRR-ja.
...
10. Automjetet e përgatitjes praktike duhet të plotësojnë kushtet teknike, si më poshtë vijon:
a) Për lejedrejtimi të kategorisë “A”, motoçikletë me ose pa kosh, me cilindratë jo më pak se 125 cm3;
b) Për lejedrejtimi të kategorisë “B”, automjet i kategorisë “B”, me peshë maksimale deri në 3 500 kg ose automjet, për transport personash, deri në (8+1) vende, e cila duhet të realizojë një shpejtësi, mbi 100 km/orë;
c) Për lejedrejtimi të kategorisë “B+E”, automjet i përshtatshëm për provën e kategorisë “B”, e kombinuar me një rimorkio, me peshë maksimale të autorizuar, 1 000 kg, bashkimi i të cilave nuk hyn në kategorinë “B”, dhe që duhet të realizojë një shpejtësi mbi 100 km/orë;
ç) Për lejedrejtimi të kategorisë “C”, automjet i kategorisë “C”, me peshë maksimale të autorizuar, mbi 12 000 kg, me gjatësi mbi 8 metra, e cila duhet të realizojë një shpejtësi mbi 80 km/orë;
d) Për lejedrejtimi të kategorisë “C+E”, automjet i përshtatshëm për provën e kategorisë “C”, e kombinuar me një rimorkio, me gjatësi mbi 7,5 metra, nga kombinimi, me peshë maksimale të autorizuar mbi 20 000 kg, me gjatësi mbi 14 metra, i cili duhet të realizojë një shpejtësi, mbi 80 km/orë;
dh) Për lejedrejtimi të kategorisë “D”, automjet i kategorisëe “D”, me gjatësi mbi 10 metra, i cili duhet të realizojë një shpejtësi mbi 80 km/orë;
e) Për lejedrejtimi të kategorisë “D+E”, automjet i përshtatshëm për provën e kategorisë “D”, e kombinuar me një rimorkio, me peshë maksimale të autorizuar, mbi 1 250 kg, i cili duhet të realizojë një shpejtësi, mbi 80 km/orë.”.
11. Automjetet mësimore duhet të jenë të pajisura me pedale të dyfishta (gaz, freksion, frena), që përdoren nga vendi, ku qëndron instruktori, dhe në mes të instruktorit dhe drejtuesit të mjetit nuk duhet të ketë pengesa, që vështirësojnë ndërhyrjet e instruktorit, për të vepruar në drejtimin e mjetit. Automjetet mësimore duhet të jenë me pamje të jashtme të rregullt dhe në gjendje të mirë teknike, në të kundërt, nga kontrollorët e ministrisë, që mbulon veprimtarinë përkatëse, dhe organet e policisë rrugore, duhet të mbahet qëndrim deri në bllokimin e tyre, pa mbajtur përgjegjësi për vijueshmërinë e autoshkollës.
12. Mësuesit e teorisë dhe instruktorët e praktikës së autoshkollave duhet të plotësojnë kërkesat e nenit 121, të Kodit Rrugor, si dhe kërkesat e përcaktuara në udhëzimin e ministrit, që mbulon veprimtarinë përkatëse.
Miratimi i mësuesve të teorisë e i instruktorëve të praktikës së autoshkollave dhe pajisja e tyre me dëshminë përkatëse bëhen nga sektori përkatës, i DPSHTRR-së, pas testimit përkatës, sipas udhëzimit të ministrit, që mbulon veprimtarinë përkatëse. Dëshmia është e vlefshme për 5 vjet, me të drejtë rinovimi. Të drejtën e heqjes së dëshmisë e ka organi, që e ka lëshuar atë, kur shkelet në mënyrë të përsëritur legjislacioni rrugor ose kur shpërdoron detyrën. Dokumentet, që vërtetojnë plotësimin e kushteve të mësuesve të teorisë dhe të instruktorëve të praktikës, administrohen nga sektori përkatës i DPSHTRR-së.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA