E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E KOMPETENCAVE TË INSPEKTORATIT TË PESHKIMIT DHE NGRITJEN E SISTEMIT TË KONTROLLIT, PËR ZBATIMIN E POLITIKAVE MENAXHUESE NË PESHKIM

V E N D I M  

PËR

PËRCAKTIMIN E KOMPETENCAVE TË INSPEKTORATIT TË PESHKIMIT DHE NGRITJEN E SISTEMIT TË KONTROLLIT, PËR ZBATIMIN E POLITIKAVE MENAXHUESE NË PESHKIM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 34, e 36, pika 5,   të ligjit nr.7908, datë 5.4.1995, “Për peshkimin dhe akuakulturën”, të ndryshuar,  të neneve 397 e 401, shkronja “a”,  të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I

TË PËRGJITHSHME

1. Ngritjen e një sistemi kontrolli për zbatimin e politikave menaxhuese dhe të legjislacionit për peshkimin, të përbërë nga Inspektorati i Peshkimit dhe strukturat e tjera shtetërore, që bashkëpunojnë me këtë inspektorat.

2. Sistemi i kontrollit ka për objekt të veprimtarisë:
a) kryerjen e monitorimit teknik të:
i. masave mbrojtëse dhe menaxhuese të burimeve të peshkimit;
ii. masave strukturore;
iii. masave, për organizimin e tregut;

b) ndjekjen e zbatimit të dispozitave ligjore për peshkimin;
c) ndjekjen e efektivitetit të sanksioneve të vendosura, në rastet kur masat e mësipërme nuk janë zbatuar.

3. Ministria garanton efektivitetin e këtij sistemi dhe siguron mjetet e nevojshme për Inspektoratin e Peshkimit për  realizimin e detyrave të inspektimit dhe të kontrollit, të përcaktuara në këtë vendim.

4. Sistemi i kontrollit përfshin të gjithë veprimtarinë e peshkimit dhe veprimtari të tjera, që lidhen me të, në territorin e ujërave detare, që i nënshtrohen sovranitetit apo juridiksionit të Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe veprimtaritë e ushtruara nga anijet me flamur apo të regjistruara në vendet e tjera, pa paragjykuar lundrimin paqësor në ujërat territoriale dhe lirinë e lundrimit në hapësirën detare, të përcaktuar sipas nenit 12, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”.

5. Ky sistem përfshin gjithashtu edhe veprimtaritë e anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, të cilat veprojnë në ujërat e vendeve të tjera dhe në det të hapur, pa paragjykimin e dispozitave të veçanta, të marrëveshjeve të peshkimit, të ratifikuara ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe një vendi tjetër, ose të konventave ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.

KREU II

INSPEKTIMI, KONTROLLI DHE VËZHGIMI.


6. Inspektorati i Peshkimit inspekton, kontrollon dhe vëzhgon veprimtarinë e peshkimit dhe veprimtaritë, që lidhen me të, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe ujërave, që u nënshtrohen sovranitetit të Republikës së Shqipërisë apo juridiksionit të saj, për të garantuar zbatimin e legjislacionit në fuqi në fushën e menaxhimit dhe të kontrollit të peshkimit. Inspektorati i Peshkimit inspekton e monitoron edhe  anijet e peshkimit e veprimtaritë e tyre, përfshirë ato të zbarkimit, shitjes, transportimit dhe magazinimit të peshkut, si dhe dokumentacionin e zbarkimeve e të shitjeve.

7. Inspektorati i Peshkimit monitoron veprimtaritë e anijeve shqiptare të peshkimit, që ushtrohen jashtë zonës së sovranitetit ose juridiksionit të tij të peshkimit, në rastet kur ky kontroll është i nevojshem për të garantuar zbatimin e ligjshmërisë në këto ujëra.

8. Për të vëzhguar pozicionimin dhe për të rritur kontrollin e sigurinë e anijeve të peshkimit, krijohet sistemi i vëzhgimit të anijeve të peshkimit (SVA), satelitor, pjesë përbërëse e sistemit të kontrollit, si pjesë e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD).

SVA-ja hyn në funksionim jo më vonë se data 30 qershor e vitit 2011dhe zbatohet për të gjitha anijet e peshkimit me gjatësi më të madhe se 15 metra, gjatësia totale, kudo që ato kryejnë veprimtari si dhe për anijet e peshkimit, që peshkojnë në ujërat e një vendi tjetër, vetëm nëse ky vend ka pranuar detyrimin e përdorimit të SVA-së.
 
9. Të gjitha anijet e peshkimit, sipas pikës 7, të këtij vendimi, instalojnë pajisjet funksionale për lokalizimin, nëpërmjet satelitit, deri më 31 dhjetor 2010. Pajisja e lokalizimit, nëpërmjet satelitit, mundëson komunikimin e një anijeje peshkimi, njëkohësisht, me shtetin shqiptar dhe me shtetet e tjera bregdetare, të interesuara për pozicionimin e saj gjeografik dhe, nëse është e nevojshme, edhe për sforcon e peshkimit. Në rast të një force madhore, informacionet e mësipërme mund të komunikohen nëpërmjet një sistemi radioje të autorizuar për këtë qëllim ose sipas metodologjisë së parashikuar në pikat 64-66, të këtij vendimi.

10. Kapitenët e anijeve shqiptare të peshkimit, të përfshira në sistemin SVA, janë të detyruara të garantojnë funksionimin perfekt dhe të vazhdueshëm të pajisjeve të lokalizimit satelitor dhe të transmetimit të të dhënave, sipas pikës 8, të këtij vendimi. Transmetimi kryhet në frekuencën ditore, të parashikuar, për të lejuar organet përkatëse të Republikës së Shqipërisë ose të vendeve të tjera bregdetare, të interesuara, të kryejnë  kontrollin efektiv të anijeve të peshkimit.

11. Ministria ngre dhe vë në funksionim, në përbërje të Drejtorisë së Politikave të Peshkimit, qendrën e kontrollit të peshkimit (QKP), për vëzhgimin e veprimtarisë dhe të sforcos së peshkimit. QKP-ja bëhet funksionale jo më vonë se data 1 janar i vitit 2011 dhe vëzhgon anijet e peshkimit me flamur shqiptar, pavarësisht nga ujërat, ku ato peshkojnë, ose nga porti, ku ndodhen, si dhe anijet e vendeve të tjera, me flamurin e vendit të tyre, ku zbatohet SVA-ja dhe që kryejnë veprimtari në ujërat nën sovranitetin ose juridiksionin e Republikës së Shqipërisë.

12. Ministria përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e QKP-së dhe merr masa që kjo qendër, të ketë personelin e nevojshëm e të trajnuar, dhe pajisjet e programet informatike, të domosdoshme, për përpunimin automatik dhe transmetimin elektronik të të dhënave. QKP-ja zbaton procedurat e ruajtjes elektronike të të dhënave dhe të rifillimit të punës në rastet e defekteve të sistemit. QKP-ja bashkëpunon me shtetet e tjera bregdetare, fqinje.

13. Të dhënat e transmetuara nga anijet, që mbajnë flamurin shqiptar, ndaj të cilave zbatohet SVA-ja, regjistrohen dhe ruhen në format elektronik, për një periudhë trivjeçare. Kjo kërkesë zbatohet edhe për anijet, që mbajnë flamurin e një vendi tjetër, ndaj të cilave zbatohet SVA-ja.

Këto të dhëna informatike mund t’i vihen në dispozicion, pas paraqitjes së një kërkese me shkrim Komisionit Evropian, sipas mënyrave të përcaktuara në pikat 114 – 124, të këtij vendimi.

14. Shpenzimet për inspektimin, kontrollin dhe vëzhgimin e veprimtarisë së anijeve të peshkimit nga Inspektorati i Peshkimit, sipas pikave 5 dhe 6, të këtij vendimi, përballohen nga buxheti i planifikuar për ministrinë.

Inspektorati i Peshkimit garanton, që masat e marra prej tij janë në përputhje me pikat 5 dhe 6, të këtij vendimi, mënjanojnë ndërhyrjet e panevojshme në veprimtarinë normale të peshkimit, si dhe nuk diskriminojnë sektorë apo anije të caktuara peshkimi.

15. Personat përgjegjës për anijen e peshkimit, ndërtesat apo mjetet e transportit, të inspektuara, bashkëpunojnë me Inspektoratin e Peshkimit për lehtësimin e inspektimeve, që kryhen në përputhje me pikën 13, të këtij vendimi.

16. Ministri për zbatimin pikave 5-14, të këtij vendimi miraton rregulla të veçanta, për:

a) identifikimin zyrtar të inspektorëve të peshkimit, të mjeteve lundruese dhe të pajisjeve e të mjeteve të tjera të ngjashme, që përdoren për inspektim;
b) përcaktimin e procedurave të inspektimit dhe të vëzhgimit të të gjithë veprimtarisë së peshkimit;
c) targat dhe identifikimin e anijeve e të mjeteve të peshkimit;
ç)  certifikimin e karakteristikave të anijeve të peshkimit.

KREU III

MONITORIMI I ZËNIEVE

16. Kapitenët e anijeve shqiptare të peshkimit mbajnë një libër anijeje (logbook), për pasqyrimin e veprimtarisë së anijes, ku jepen të dhëna për sasitë e peshkut, për çdo lloj peshku të zënë dhe të mbajtur në bord, datën dhe zonën e peshkimit  zënieve (sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet vendimit, dhe është pjesë përbërëse e tij), si dhe llojin e mjeteve të peshkimit, të përdorura.
Të gjitha anijet e peshkimit pajisen me librin e anijes, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

17. Në libër shënohen të gjitha llojet e mbajtura në bord, sipas listave të, miratuara nga ministri.

18. Kapitenët e anijeve të peshkimit përveç të dhënave të përcaktuara në pikat 16-17, të këtij vendimi, shënojnë edhe mund të shënojnë sasitë e rihedhura në det, për qëllime vlerësimi.

19. Anija e peshkimit, me gjatësi të përgjithshme, më pak se 10 m, nuk detyrohet të mbajë librin e anijes.

20. Ministri, me urdhër të veçantë, mund të vendosë përjashtime të tjera përveç atij të parashikuar në pikën 19, të këtij vendimi.

21. Ministria organizon, në bazë sondazhi, monitorimin e veprimtarive të anijeve të peshkimit, të përjashtuara nga kërkesat e përcaktuara në pikat 19 e 20, të këtij vendimi, për të  garantuar respektimin nga këto anije, të legjislacionit në fuqi  për peshkimin.

Për këtë qëllim, Inspektorati i Peshkimit programon planin e sondazheve. Rezultatet e monitorimit të kryer i dërgohen, rregullisht, drejtorisë.

22. Kapitenët e anijeve të peshkimit duhet të regjistrojnë informacionin e përmendur në pikat 16 dhe 18, të këtij vendimi, në formë kompjuterike, të lexueshme, apo në letër.

23. Rregulla të hollësishme për zbatimin e pikave 16-22, të këtij vendimi, miratohen nga ministri, përfshirë bazën gjeografike dhe kuadrin statistikor.

24. Kapitenët e anijeve shqiptare të peshkimit, të cilët dëshirojnë të përdorin, për zbarkimin e prodhimit, portet e një shteti tjetër, të ndryshëm nga shteti shqiptar, duhet të informojnë autoritetet përgjegjëse në atë shtet, së paku katër orë përpara, për:

a) pozicionimin e zbarkimit dhe kohën e parashikuar për mbërritjen;
b) sasitë e çdo lloji, që do të zbarkojë.

25. Kapiteni, që nuk kryen njoftimin, sipas pikës 24, të këtij vendimi, mund të jetë objekt i sanksioneve të veçanta nga autoritetet përgjegjëse të atij vendi.

26. Në rastet e marrëveshjeve specifike me vendin pritës dhe/ose me Komisionin Evropian, mund të bëhen përjashtime për disa kategori të anijeve shqiptare të peshkimit, për detyrimet e pikës 24, të këtij vendimi, për një periudhë të caktuar dhe të rinovueshme, ose të merren masa për një tjetër periudhë lajmërimi, duke patur parasysh, ndër të tjera, distancën ndërmjet zonës së peshkimit, zonës së zbarkimit dhe porteve, ku anijet në fjalë janë regjistruar apo listuar.

27. Kapiteni i çdo anijeje peshkimi, me gjatësi të përgjithshme, të barabartë apo më shumë se 10 metra, apo përfaqësuesi i tij duhet, pas çdo udhëtimi dhe brenda 48 orësh nga procesi i zbarkimit, të nënshkruajë një deklaratë për Inspektoratin e Peshkimit, të vendit ku bëhet zbarkimi. Ata janë përgjegjës për saktësinë e deklaratës, ku jepen të dhëna për sasitë e zbarkuara, për çdo lloj, sipas pikave 16-23, të këtij vendimi, dhe zonën, ku janë zënë.

28. Në rast se Komisioni Evropian vendos t’i zbatojë detyrimet e përcaktuara në pikën 27, të këtij vendimi, edhe për anijet, që kanë një gjatësi të përgjithshme më të vogël se 10 metra, atëherë kjo bëhet e detyrueshme edhe për anijet shqiptare të peshkimit. Kjo vlen, gjithashtu, për përjashtimin prej këtyre detyrimeve edhe të disa kategorive të anijeve, që kanë një gjatësi të përgjithshme, të barabartë me apo më shumë se 10 metra, dhe që kryejnë veprimtari të veçanta peshkimi.

29. Ministria organizon, në bazë të sondazheve, monitorimin e veprimtarive të anijeve të peshkimit, të cilat janë përjashtuar nga kërkesat e përcaktuara në pikën 27, të këtij vendimi, për të garantuar respektimin e legjislacionit, shqiptar dhe ndërkombëtar, në fuqi, nga këto anije.

Për këtë qëllim, Inspektorati i Peshkimit programon planin e sondazheve. Rezultatet e monitorimit të kryer i dërgohen, rregullisht, ministrisë.

30. Qendrat e ankandit apo qendra të tjera, të autorizuara nga shërbimi veterinar, të cilat janë përgjegjëse për tregtimin e parë të prodhimeve nga peshkimi, të zbarkuara, duhet të nënshkruajnë, që në shitjen e parë, te Inspektorati i Peshkimit, një deklaratë shitjeje, për saktësinë e së cilës ato janë përgjegjës. Ky detyrim përfshin informacionin e kërkuar në pikën 32, të këtij vendimi.

31. Në rast se tregtimi i parë i prodhimeve të peshkimit, që zbarkohen, kryhet në mënyrë të ndryshme nga ajo e parashikuar në pikën 30, të këtij vendimi, këto prodhime nuk duhet të tërhiqen nga blerësi, deri në çastin e përgatitjes për Inspektoratin e Peshkimit ose për çdo organizëm tjetër, të autorizuar për këtë qëllim, të njërës prej  dokumenteve të mëposhtme:
a) Një deklaratë shitjeje, nëse prodhimet janë shitur ose hedhur në treg, në vendin e zbarkimit;
b) Një kopje të njërës prej dokumenteve, sipas pikave 43-50, të këtij vendimi, kur prodhimet janë hedhur në treg në një vend të ndryshëm nga ai i zbarkimit, të shoqëruar nga një deklaratë shitjeje, plotësuar në çastin e shitjes.
c) Një deklaratë të marrjes në ngarkim, kur prodhimet nuk janë shitur ose janë të destinuara për një shitje të mëvonshme.
Blerësi përgjigjet për përputhjen e të dhënave të deklaratës së shitjes, sipas pikave 30 e 31, të këtij vendimi, me mallin e blerë.

32. Deklarata e shitjes, sipas pikave 30 e 31, të këtij vendimi, përmban, së paku, informacion për:
 
a) të gjitha llojet, emrin

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›