VENDIM PER SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I QENDRËS SË RE KOMBËTARE DISPEÇER, I ZYRAVE TË REJA TË OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT (OST), SHA, DHE I DISPEÇERISË Q
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I QENDRËS SË RE KOMBËTARE DISPEÇER, I ZYRAVE TË REJA TË OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT (OST), SHA, DHE I DISPEÇERISË QENDRORE, KASHAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “ Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i Qendrës së re Kombëtare Dispeçer, i zyrave të reja të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sha, Tiranë, dhe Dispeçerisë Qendrore, në Kashar, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të OST, sha-së.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 20 935 (njëzet mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë) m2, tokë bujqësore/arë, vlerësuar në shumën e përgjithshme 52 487 020 (pesëdhjetë e dy milionë e katërqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e njëzet) lekë.
4. Fondi prej 52 487 020 (pesëdhjetë e dy milionë e katërqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e njëzet) lekësh të përballohet nga fondet e OST, sha-së, zëri “Kosto vendore për shpronësimet”.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të shpronësimit, në shumën 165 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekë, të përballohet nga OST, sha-ja, si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.
6. Shpronësimi të fillojë brenda muajit shtator dhe të përfundojë brenda muajit dhjetor 2008.
7. Mënyra e pagesës të bëhet pas paraqitjes së dokumenteve të pronësisë, sipas ligjit nr.8561, datë 22.12.1999.
8. Punimet për ndërtimin e Qendrës së re Kombëtare Dispeçer, të zyrave të reja të OST, sha-së, Tiranë, dhe Dispeçerisë Qendrore, në Kashar, të përfundojnë brenda muajit dhjetor 2009.
9. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe OST, sha-ja, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
29/10/2008