E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM PER MIRATIMIN E STANDARDEVE TË PËRBASHKËTA GJEODEZIKE DHE GIS

V E N D I M

PëR

MIRATIMIN E STANDARDEVE Të PëRBASHKëTA GJEODEZIKE DHE GIS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të nenit 55, të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA Të PëRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton rregullat për zbatimin e standardeve të përbashkëta gjeodezike dhe GIS (Sistemi i Informacionit Gjeografik), qw duhen përdorur nga autoritetet e planifikimit të territorit dhe institucione të tjera publike në territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. Standardet e përgjithshme gjeodezike dhe të Sistemit të Informacionit Gjeografik përcaktojnë:

a) mënyrën se si përshkruhet përmbajtja dhe struktura e të dhënave hapësinore, në mënyrë formale dhe të qartë, dhe si të përftohet nga ky përshkrim një format/sistem i pavarur për shkëmbimin e të dhënave.

b) metadatat që duhen mirëmbajtur për të dhënat hapësinore dhe shërbimet zbulimit, të shikimit e të shkarkimit të të dhënave hapësinore, nëpërmjet një portali web në internet.

Zbatimi i këtyre standardeve lehtëson ndarjen e të dhënave dhe rrit ndërveprimin ndërmjet të gjitha palëve që administrojnë informacion hapësinor.

3. Këto standarde janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha autoritetet kombëtare e vendore, përgjegjëse për mbajtjen e informacionit në lidhje me planifikimin e territorit në Republikën e Shqipërisë, të cilat janë të detyruara të shkëmbejnë e të shpërndajnë informacionin hapësinor nëpërmjet Regjistrit të Planifikimit të Territorit, të përcaktuar në kapitullin V, të ligjit nr.10110, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”. Të gjithë personat, të cilët shkëmbejnë të dhëna nëpërmjet Regjistrit të Planifikimit të Territorit, janë të detyruar të veprojnë në përputhje me këto standarde.

4. Regjistrimi i të dhënaveve dhe i metadatave (ose të dhënat mbi të dhënat) organizohet sipas një rrjeti të integruar dhe shumëqëllimësh bazash elektronike kadastrale, të pavaruara e ndërvepruese ndërmjet tyre.

5. Rregullat e parashikuara në këtë vendim shërbejnë si bazë për krijimin dhe organizimin e portalit web të Regjistrit të Planifikimit të Territorit, si dhe për përcaktimin nga autoritetet e planifikimit të territorit, institucionet e tjera publike dhe personat juridikë, të standardeve për shkëmbimin e informacionit nëpërmjet këtij portali.

6. Të dhënat dhe metadatat, që regjistrohen në portalin web të Regjistrit, krijohen në mënyrë të pavarur nga autoritetet e planifikimit të territorit, në përputhje me standardet e parashikuara në këtë vendim.

7. Të dhënat dhe metadatat shkëmbehen sipas standardeve të parashikuara në këtë vendim për transferimin e shkëmbimin e tyre ndërmjet sistemeve të ndryshme të informacionit, si dhe për lejimin e çdo subjekti të interesuar për marrjen ose përdorimin e tyre.

8. Të dhënat dhe metadatat, të përftuara sipas standardeve, duhet të garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen të dhënave personale”.

9. Standardet e përbashkëta gjeodezike dhe GIS sigurojnë bashkërendimin e punës ndërmjet autoriteteve të planifikimit të territorit, institucioneve të tjera publike e personave juridikë.

10. Standardet e përbashketa gjeodezike dhe GIS, si standarde ndërkombëtare të miratuara nga Organizata Ndërkombëtare e Standardeve (ISO), janë të detyrueshme për zbatim sipas këtij vendimi në masë të plotë, për aq sa parashikimet e tyre nuk janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

11. Standardet e parashikuara në këtë vendim për krijimin e të dhënave dhe të metadatave shërbejnë si burim kryesor për autoritetet e planifikimit të territorit, institucionet e tjera publike dhe personat juridikë që mirëmbajnë informacion hapësinor. Këto standarde realizojnë:

a) lexueshmërinë e të dhënave nëpërmjet mjeteve të komunikimeve elektronike;

b) shmangien e regjistrimit të të dhënave të panevojshme dhe që nuk kanë lidhje me bazën e të dhënave;

c) kuptimin e përgjithshëm të të dhënave dhe të metadatave, si dhe gjetjen e informacionit për të dhënat që kërkohen.

12. Standardet e parashikuara në këtë vendim ndahen në tri grupe:

a) Standarde për specifikimin e të dhënave dhe të metadatave;

b) Standarde për përshkrimin e formatimit dhe të kodimit të të dhënave;

c) Standarde për përcaktimin e shërbimeve të rrjetit.

II. STANDARDET PëR SPECIFIKIMIN E Të DHëNAVE DHE Të METADATAVE

1. Këto standarde përshkruajnë sesi autoritetet e planifikimit të territorit, institucionet e tjera publike e personat juridikë përcaktojnë, në mënyrë formale dhe të qartë, të dhënat dhe metadatat, me anë të zbatimit të modelimit konceptual. Në specifikimin e të dhënave e të metadatave, i cili bëhet sipas standardeve të parashikuara në këtë vendim, përfshihen edhe karakteristikat e tyre hapësinore dhe kohore.

2. Standardet për specifikimin e të dhënave të dokumenteve përfshijnë:

a) modelin e referencës (ISO 19101);

b) skemën e konceptimit të gjuhës (ISO 19103);

c) skemën hapësinore (ISO 19107);

ç) skemën e përkohshme (ISO 19108);

d) rregullat për skemën e aplikimit (ISO 19109);

dh) referimin hapësinor me koordinata (ISO 19111);

e) informacionin gjeografik për metadata (ISO 19 115);

ë) projeksionet europiane të hartave (EUR 20120).

3. Modeli i referencës. Ky standard përcakton modelin e referencës që përshkruan të gjitha kërkesat për standardizimin dhe parimet themelore që zbatohen për zhvillimin e përdorimin e standardeve për informacionin gjeografik. Ky standard shërben si bazë për standardet e tjera, të parashikuara në këtë kre, si dhe për standardet e parashikura në krerët III de IV, të këtij vendimi.

4. Skema konceptuale e gjuhës. Ky standard përcakton skemën konceptuale të gjuhës që përdoret për zhvillimin e skemave (modeleve) elektronike të përkthyeshme, të informacionit gjeografik. Këto skema shërbejnë si bazë për shkëmbimin e të dhënave dhe për përcaktimin e shërbimeve të ndërveprimit. Standardet identifikojnë kombinimin e kategorisë së diagramës së modelit të njehsuar të gjuhës (MNjGj) me kufizimin e objektit te gjuhës (KOGj), që bashkëshoqërohet me të, si dhe një grup përkufizimesh bazë, si skema konceptuale e gjuhës për specifikimin e informacionit gjeografik.

5. Skema hapësinore. Ky standard parashikon skemat konceptuale për përshkrimin dhe përdorimin e karakteristikave hapësinore të tipareve gjeografike me një tipar gjeografik, që është një prezantim abstrakt i një dukurie reale te botës, të shoqëruar me vendndodhje relative në tokë. Ky standard përmban të dhëna vektor (të vektorizuara) që shprehin karakteristikat e tyre hapësinore të tipareve gjeografike.

6. Skema e përkohshme. Ky standard përcakton kërkesat për përshkrimin e karakteristikave të përkohshme të informacionit gjeografik.

7. Rregullat për skemën e aplikimit. Ky standard përcakton mënyrën sesi përshkruhen përmbajtja dhe struktura e të dhënave, në mënyrë formale e të qartë, nëpërmjet një skeme aplikimi. Një skemë aplikimi parashikon:

a) një dokumentim të plotë të të dhënave në një fushë të veçantë ose fushë aplikimi (p.sh. zyrë urbanistike, kadastër, etj).

b) përshkrimin e të dhënave të lexueshme, në mënyrë elektronike, që bëjnë të mundur zbatimin e mekanizmave automatike për administrimin e të dhënave.

Nëpërmjet përdorimit të një skeme aplikimi arrihet një kuptim i përbashkët dhe i saktë i të dhënave në një fushë të caktuar të zbatimit të tyre.

Standardet përcaktojnë vetëm mënyrën sesi duhet të përshkruhet përmbajtja dhe struktura e të dhënave kur nuk përcaktohet struktura e përmbajtja në vetvete. Përcaktimi i përmbajtjes dhe i strukturës të së dhënave në një fushë të caktuar zbatimi është një proces miratimi, ku përfshihen të gjitha palët që do të mirëmbajnë e ndajnë së bashku të dhënat e kësaj fushe zbatimi.

c) Referimi hapësinor me koordinata. Informacioni gjeografik përmban referenca hapësinore që lidhen me karakteristikat në një vendndodhje relative në tokë. Kjo referencë hapësinore mund të vendoset nëpërmjet përdorimit të koordinatave ose të identifikuesve gjeografikë. Ky standard përfshin dhënien e referencave duke përdorur koordinatat. Koordinatat janë të qarta vetëm kur sistemi i referimit koordinativ, me të cilin janë të lidhura ato koordinata, përcaktohet plotësisht. Ky standard përshkruan elementet e nevojshme për përcaktimin e plotë të sistemeve të referimit koordinativ që zbatohen për informacionin gjeografik, si dhe përcakton transformimin ose konvertimin e koordinatave midis dy sistemeve të ndryshme të referimit koordinativ.

d) Informacioni gjeografik për metadatat. Ky standard përcakton metadatat që mirëmbahen për të dhënat hapësinore dhe shërbimet e të dhënave hapësinore. Përkufizimi i një grupi elementesh të metadatave është i nevojshëm për të lejuar:

a) identifikimin e burimit të informacionit, për të cilin metadatat krijohen,;

b) klasifikimin e burimit dhe identifikimin e vendndodhjes së tij gjeografike e të referencës hapësinore;

c) cilësinë dhe vlefshmërinë;

ç) përputhshmërinë me rregullat e zbatueshme për ndërveprimin e grupit të të dhënave hapësinore e të shërbimeve;

d) kufizimet mbi aksesin e përdorimin;

dh) organizimin e elementeve të lidhura me origjinën.

Elementet e metadatave të lidhura me regjistrimin e vetë metadatave janë të nevojshme për monitorimin, në mënyrë që metadatat e krijuara të mbahen të përditësuara, si dhe për identifikimin e autoritetit përgjegjës për krijimin e mirëmbajtjen e tyre. Grupi (numri dhe përshkrimi) minimal i elementeve të metadatave që duhen mirëmbajtur për të dhënat e shërbimet e parashikuara në Regjistrin e Planifikimit të Territorit, përcaktohet në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij vendimi. Kjo nuk përjashton mundësinë që grupet e interesit, në përputhje me parashikimet e Regjistrit të Planifikimit të Territorit, të dokumentojnë burimet e informacionit, më gjerësisht, me elemente shtesë, që rrjedhin nga standardet ndërkombëtare ose praktikat e hasura gjatë punës, në fushën e tyre të zbatimit.

e) Projeksionet europiane të hartave. Ky standard përcakton sistemet e referimit hapësinor të koordinatave dhe sistemet vertikale të referimit që do të përdoren për informacionin gjeografik, të administruar e të mirëmbajtur në Regjistrin e Planifikimit të Territorit. Sipas këtij standardi, sistemi i Referencës Tokësore Europiane (ETRS-TMzn) ETRS89 do të përdoret për të gjitha hartat në një shkallë më të madhe se 1:500.000. Sistemi ETRS80 Lambert Conformal Conic Projection (ETRS-LCC) do të përdoret për hartat me shkallë të njëjtë ose më të vogël se 1:500.000.

III. STANDARDET PëR PëRSHKRIMIN E FORMATIT DHE Të KODIMIT Të Të DHëNAVE

1. Standardet e parashikuara në këtë seksion përcaktojnë formatin e të dhënave që ndahen dhe shkëmbehen ndërmjet autoriteteve të planifikimit të territorit, institucioneve të tjera publike e personave jurdikë. Këto standarde përcaktojnë rregullat e kodimit, duke përshkruar sesi skema për një format të transferimit të të dhënave për një sistem të pavarur mund të rrjedhë nga një skemë aplikimi.

2. Këto standarde të përshkruara në këtë kre përfshijnë:

a) kodimin (ISO 19115);

b) gjuhën e etiketimit gjeografik (ISO 19136);

c) metadatën – kodimin XML (ISO 19139).

Standardet në veçanti i përkasin shitësve të programeve kompjuterike (software) që duhet të ofrojnë aplikime, të cilat mund të lexojnë e shkruajnë formate që nevojiten për ndarjen dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet autoriteteve të planifikimit të territorit, institucioneve të tjera publike dhe personave juridikë.

3. Kodimi. Ky standard specifikon kërkesat për përcaktimin e rregullave të kodimit që përdoren për shkëmbimin e të dhënave gjeografike ndërmjet autoriteteve të planifikimit të territorit, institucioneve të tjera publike dhe personave jurdikë. Një rregull kodimi lejon informacionin gjeografik të përcaktuar nga skema aplikimi dhe skema të standardizuara për kodim në një strukturë të dhënash të një sistemi të pavarur për transferim ose depozitim.

4. Gjuha e etiketimit gjeografik (GML). Gjuha e etiketimit gjeografik (GML) është kodimi XML sipas standardeve të përshkruara në pikën 3, të këtij kreu, për transferimin dhe depozitimin e informacionit gjeografik, të modeluar sipas kuadrit të modelimit konceputal, të përdorur në seritë 19100 të standardeve ISO të Standardeve Ndërkombëtare dhe që përfshin regjistrimet hapësinore e johapësinore për karakteristikat gjeografike të tokës. Standardi GML është kodimi më i parapëlqyer për t’u përdorur kur informacioni gjeografik shkëmbehet ndërmjet autoriteteve të planifikimit. Nëse një skemë aplikimi e përshkruar në URL përdoret si bazë për ruajtjen e transferimin e informacionit gjeografik dhe sipas standardeve ISO 19109 (Pika 3, në kreun II, të këtij vendimi), standardet në GML parashikojnë rregulla normative për planifikimin e kësaj skeme aplikimi në një skemë aplikimi GML në skemën XML dhe, si e tillë, në një kodim XML të të dhënave me një strukturë logjike në përputhje me skemë e aplikimit të pajtueshme ISO 19109.

IV. STANDARDE PëR PëRCAKTIMIN E SHëRBIMEVE Të RRJETIT

1. Hyrja në bazën e të dhënave dhe të metadatave, që mbahen nga çdo autoritet i planifikimit të territorit, institucionet e tjera publike dhe personat juridikë, mundësohet nëpërmjet shërbimeve të rrjetit të informacionit të ofruar.

2. Do të ofrohen tri lloje shërbimesh:

a) Shërbimi i kërkimit dhe i gjetjes së informacionit;

b) Shërbimi i shikimit të tyre;

c) Shërbimi i shkarkimit të informacionit.

Standardet, që mbulojnë shërbimet në rrjetin e informacionit, përcaktojnë sintaksën dhe përmbajtjen e kërkesave që një shërbim është në gjendje të kuptojë, si dhe sintaksën dhe përmbajtjen e përgjigjeve.

3. Shërbimet e shikimit dhe të shkarkimit të informacionit përdoren në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e të dhënave personale në përputhje me ligjin nr.9887, datë 10.3.2007, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Këto shërbime sigurojnë mbrojtjen e akteve që klasifikohen konfidenciale ose sekret shtetëror në përputhje ligjin nr.8547, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”.

4. Shërbimi i kërkimit dhe i gjetjes së informacionit.

Ky shërbim përdoret për të kërkuar/për të gjetur të dhëna nëpërmjet një grupi kriteresh kërkimore, të cilat do të jenë bërthama e elemeteve metadata nga ISO 19115 (Metadata për informacion gjeografik).

Specifikimi i shërbimit të gjetjes së informacionit është Katalogu i Shërbimeve OGC për Specifikimin e Rrjetit.

5. Shërbimi i Shikimit. Ky shërbim përdoret për të përfituar pamjen e hartës së ofruar si imazh ose format grafik dhe krijohet nga një a disa të dhëna hapësinore. Nuk ka shërbim shikimi të përcaktuar për të dhëna johapësinore. Specifikimi i shërbimit të shikimit është Shërbimi i Hartës Web (SHHW) të përshkruar hollësisht në standardin ISO 19128, ndërsa portretizimi i informacionit gjeografik (simbole kartografike, etj.) rregullohet nga ISO 19117.

6. Shërbimi i shkarkimit të informacionit. Ky shërbim përdoret për të përftuar të dhëna dhe mund të ndahet në dy kategori kryesore:

a) Shërbime shkarkimi për mbledhje të dhënash ose pjesë të tyre të paracaktuara;

b) Shërbime shkarkimi me hyrje të drejtpërdrejtë, përfshirë edhe mundësinë e marrjes së informacionit për të dhënat.

6.1. Për të përdorur kategorinë e parë të shërbimit të shkarkimit, duhen metadata për mbledhjen e të dhënave, të paracaktuara, që përmban URL ku baza e të dhënave ose pjesë të saj mund të shkarkohet menjëherë me një kërkesë të thjeshtë HTTP. Një bazë të dhënash e paracaktuar ose pjesë të saj të paracaktuara përfaqësojnë në koncept, një dosje të ruajtur në ruajtësin e bazës të së dhënave, që mund të shkarkohet si një njësi e tërë pa patur asnjë mundësi për t’u ndryshuar përmbajtja. Kjo gjë lejon zgjidhjen më të thjeshtë teknike për sigurimin e hyrjes në bazën e të dhënave.

6.2. Kategoria e dytë e shërbimit të shkarkimit lejon më tepër kontroll gjatë shkarkimit. Nuk është e detyrueshme, por gjithsesi, nëse sigurohet, duhet të zbatohet si shërbim rrjeti siç përcaktohet në ISO 19142, me kërkesën e pajisjes së filtrit të kodimit(FK) po sipas përcaktimeve të ISO 19143. Në këtë rast, informacioni hapësinor ruhet në mënyrë tipike në ruajtësin e informacionit (p.sh. në bazën e të dhënave) dhe në të mund të depërtohet vetëm nëpërmjet sistemit të bazës të së dhënave. Hyrja drejtpërdrejt është mundësia e aplikimit apo shërbimit të klientit për të ndërvepruar drejtpërdrejt me ruajtësin e të dhënave, p.sh., për të përfituar pjesë nga baza e ruajtjes të së dhënave, sipas kërkesës. Kërkesa mund të bazohet në kriterin hapësinor ose kohor a në karakteristika specifike të kategorive të objekteve hapësinore, të përfaqësuara në ruajtësin e të dhënave.

V. DISPOZITA Të FUNDIT

1. Standardet e parashikuara në vendimin nr. 232, datë 12.3.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të përgjithshme për ruajtjen dhe administrimin e informacionit hartografik, të përftuar nga fotografimi ajror, dixhital i territorit të Republikës së Shqipërisë”, do të vazhdojnë të zbatohen, për aq sa ato nuk janë në kundërshtim me standardet e parashikuara në këtë vendim.

2. Bordi Shqiptar i Gjeoinformacionit detyrohet t’i paraqesë për miratim, nëpërmjet ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshillit të Ministrave, standardet për të dhënat e përbashkëta gjeodezike dhe GIS, së bashku me strukturën, monitorimin e tyre, zbatimin dhe modifikimin.

3. Bordi Shqiptar i Gjeoinformacionit detyron autoritetet e planifikimit të territorit, institucionet e tjera publike dhe personat juridikë për zbatimin e strukturës dhe të standardeve të përbashkëta gjeodezike dhe GIS, të parashikuara në këtë vendim.

4. Agjencia e Planifikimit të Territorit detyrohet të krijojë komitete këshillimore ad-hoc, sa herë është e nevojshme, për çështje specifike me karakter teknik, për të shikuar apo për të rekomanduar rishikimin e informacioneve për standardet GIS dhe ato gjeodezike, të lidhura me planifikimin e territorit. Mënyra e funksionimit, kompetencat dhe përbërja e komiteteve përcaktohen me udhëzim të ministrit të Punëve Publike, dhe Transportit. Këto komitete kanë të drejtë dhe detyrim t’i japin rekomandime Bordit Shqiptar të Gjeoinformacionit për rishikimin e strukturës së miratuar të strukurës dhe standardeve të të dhënave gjeodezike dhe GIS.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet e tij sipas parashikimeve të shkronjës “b”, të nenit 92, të ligjit nr.10119, datë 23.4 2009, “Për planifikimin e territorit”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


16/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›