E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË KUSHTEVE DHE TË MËNYRËS SË FINANCIMIT PËR ARSIMIN, E DETYRUESHËM DHE TË MESËM, TË FËMIJËVE TË PERSONELIT, TË EMËRUAR NË PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKË SË SHQIPËRISË NË SHTETET E HUAJA

                                                                                                                   V E N D I M

 

                                                                                                                         PËR

 

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË KUSHTEVE DHE TË MËNYRËS SË FINANCIMIT PËR ARSIMIN, E DETYRUESHËM DHE TË MESËM, TË FËMIJËVE TË PERSONELIT, TË EMËRUAR NË PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKË SË SHQIPËRISË NË SHTETET E HUAJA

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 46, të  ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

 

V E N D O S I:

1.          Shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të personelit të përfaqësisë diplomatike, në vendet ku shkollimi publik, i detyrueshëm dhe i mesëm, është me pagesë, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme, deri në përfundim të arsimit të mesëm.

2.          Shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të personelit, të emëruar në përfaqësitë diplomatike, në vendet, ku kushtet e ushtrimit të detyrës përballen me vështirësi të veçanta ose ku sistemi shkollor zhvillohet në gjuhë të ndryshme nga gjuhët e huaja, që mësohen në sistemin arsimor shqiptar, përballohen pjesërisht nga buxheti i përfaqësisë, kur shkollimi i fëmijëve bëhet në shkolla ndërkombëtare private, të njohura, të licencuara apo homologuara nga autoritetet vendase.

3.          Kërkesa e nëpunësit për mbulimin e shpenzimeve të arsimimit në institucionin arsimor privat i drejtohet ministrit të Punëve të Jashtme së bashku me një kopje të licencës së institucionit, lëshuar nga organet kompetente të vendit, dhe me vërtetimin origjinal nga ky institucion, për koston e shkollimit, me hollësitë përkatëse.

4.          Pas miratimit të kërkesës nga ministri, në bazë të dokumentacionit të paraqitur prej nëpunësit të emëruar, përfaqësia, nga buxheti i vet, përballon  shpenzimin deri në shumën 250 euro ose 250 USD në muaj, për çdo fëmijë, deri në përfundim të arsimit të mesëm.

5.          Në raste të veçanta, kur, me dokumente, vërtetohet se shuma e parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi, është më e vogël, se 50 për qind e shpenzimit mujor për shkollim për fëmijë, me urdhër të ministrit të Punëve të Jashtme mund të përcaktohet një vlerë më e lartë, deri në 50 për qind të kostos së shkollimit.

6.          Me pagesë shkollimi kuptohen shpenzimet për mësimdhënie, ndërsa shpenzimet e tjera, si pagesa e librave, transporti, pjesëmarrje në veprimtari të ndryshme kulturore-sportive etj., përballohen nga vetë nëpunësi i përfaqësisë diplomatike.

7.          Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

8.          Vendimi nr.721, datë 21.12.2000, i Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e shpenzimeve të shkollimit të fëmijëve të punonjësve tanë, që punojnë në përfaqësitë tona diplomatike”, shfuqizohet.

9.          Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›