E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR BLERJEN, ZHVILLIMIN, PRODHIMIN E BASHKËPRODHIMIN E PROGRAMEVE A TË REKLAMAVE PËR TRANSMETIM NGA OPERATORËT RADIOTELEVIZIVË OSE BOTIM NË MEDIAN E SHKRUAR, DHE PËR KONTRATAT, PËR KOHË TRANSMETIMI, NGA ORGANET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE

V E N D I M
 

PËR

 BLERJEN, ZHVILLIMIN, PRODHIMIN E BASHKËPRODHIMIN E PROGRAMEVE A TË REKLAMAVE PËR TRANSMETIM NGA OPERATORËT RADIOTELEVIZIVË OSE BOTIM NË MEDIAN E SHKRUAR, DHE PËR KONTRATAT, PËR KOHË TRANSMETIMI, NGA ORGANET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

 I.  RREGULLA TË PËRGJITHSHME

 1.           Ky vendim ka për qëllim vendosjen e rregullave, për realizimin e blerjes, të zhvillimit, prodhimit e të bashkëprodhimit të programeve a të reklamave, për transmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në median e shkruar, dhe për kontratat, për kohë transmetimi, nga organet e administratës shtetërore.

 2.           Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtme nënkuptohen:

a)               “Programe, reklama dhe spote”, mesazhet apo emisionet televizive, që synojnë të nxisin shitblerjen e një malli ose kryerjen e një shërbimi, duke paraqitur një ide apo të dhëna, për të arritur efektet, që dëshiron reklamuesi, të cilit i është dhënë kohë transmetimi, me pagesë ose më një formë tjetër shpërblimi.

b)               “Transmetim”, emetimi i parë, me transmetues tokësor, me kablo ose satelit, në formë të koduar a të pakoduar, i shërbimeve programore radio dhe/ose televizive, që i drejtohen  publikut, në përgjiothësi.

c)               “Transmetues”, është personi juridik, që ofron rrjetin e transmetimit ose një shërbim transmetimi për publikun, sipas kushteve dhe standardeve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

ç)  “Media”,  të gjitha mjetet e komunikimit për publikim periodik të dhënash, on line a off line, si gazeta, revista, radio, television apo shërbime të reja, bazuar në web-e.

d)    “Reklamues”, çdo organ i qeverisjes, qendrore e vendore, si dhe çdo institucioni tjetër publik, i pavarur.

 3.           Programi, reklama dhe spoti duhet të bazohen në fakte dhe të jenë në përputhje me interesat, shtetërore dhe politike, të shtetit shqiptar dhe me rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë.

 4.           Programi, reklama dhe spoti nuk duhen të përmbajnë të dhëna të rreme apo shqetësuese për shikuesit.

 5.           Ky vendim zbatohet nga organet e qeverisjes, qendrore e vendore, si dhe nga institucionet e tjera publike, të pavarura, për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për transmetim në televizionet ndërkombëtare, kombëtare dhe vendore, në radiot, me shtrirje ndërkombëtare, kombëtare apo vendore, ose për botim në median e shkruara, me shtrirje ndërkombëtare, kombëtare a vendore, dhe për kontrata për kohë transmetimi, nga organet e administratës shtetërore.

 II. PROCEDURA PËR REALIZIMIN E NJË PROGRAMI, TË NJË REKLAME APO SPOTI

 6.           Titullari i institucionit urdhëron, me shkrim, blerjen, zhvillimin, prodhimin apo bashkëprodhimin e programeve a të reklamave, transmetimin nga operatorët radiotelevizivë ose botimin në median e shkruar dhe procedurat për kontratat për kohë transmetimi për çdo rast, duke parashikuar objektin, nevojën e kryerjes së programit/reklamës/spotit, shpeshtësinë dhe periudhën e shfaqjes së tij, fondin limit, numrin e televizioneve dhe përbërjen e komisionit, për ndjekjen e procedurave.

 7.           Në varësi të llojit të programit, reklamës apo spotit, klushtet e veçanta, për përzgjedhjen e organeve të masmedias/agjencive të specializuara, janë:

 a)               organi i masmedias/agjencia e specializuar ndërkombëtar/e, kombëtar/e, vendor/e);

b)               çmimi i ofruar nga organi i masmedias/agjecia e specializuar;

c)               koha e transmetimit.

 8.           Komisioni për ndjekjen e procedurave dhe hartimin e dokumenteve përbëhet nga 5 anëtarë, tre prej të cilëve specialistë të fushës.

 9.           Komisioni, brenda një periudhe kohore 5-ditëshe nga data e daljes së urdhrit, u shpërndan, me korrespondencë zyrtare, organeve të masmedias/agjencive të specializuara ftesën për negociata. Ftesa për negociata publikohet edhe në faqen e internetit të institucionit.

 10.        Ftesa për negociata duhet të përmbajë objektin e programit/reklamës/spotit, nevojën e kryerjes së programit/reklamës/spotit, shpeshtësinë dhe  periudhën e shfaqjes së tij, fondin limit dhe datën përfundimtare të paraqitjes së kërkesës nga organet e masmedias.

 11.        Komisioni pret konfirmimin nga organet e masmedias/të agjencive të specializuara për vazhdimësinë e negociatave, brenda afatit të fundit të paraqitur në ftesën për negociata. Konfirmimi për vazhdimësinë e negociatave shoqërohet me çmimin përkatës për kryerjen e programit, të reklamës apo spotit, nga organet e masmedias/agjencitë e specializuara. Konfirmimet për vazhdimësinë e negociatave vijnë në një ditë të vetme, të mbyllura dhe hapen njëkohësisht, në prani të anëtarëve të komisionit.

 12.        Pas analizimit të ofertave, të paraqitura nga organet e masmedias/agjencitë e specializuara, komisioni përzgjedh në bazë të pikëve organet e masmedias/agjencitë e specializuara, duke u bazuar në kushtet e veçanta, të përcaktuara në pikën 7, të këtij vendimi. Komisioni harton një raport të hollësishëm për të gjithë procedurën e ndjekur dhe ia paraqet titullarit të institucionit.

 13.        Titullari i institucionit, në bazë të rekomandimit të dhënë nga komisioni i vlerësimit, vendos, brenda 2 ditëve nga data e paraqitjes së rekomandimit, lidhjen e kontratave me organet e masmedias/ agjencitë e specializuara, për kryerjen e programit, të reklamës apo spotit.

 III.            DISPOZITA TË FUNDIT

 14.        Ankesat për procedurën e blerjes, zhvillimit, prodhimit a bashkëprodhimit të programeve ose reklamave, transmetimit nga operatorët radiotelevizivë ose botimit në median e shkruar dhe procedurat për kontratat për kohë transmetimi  bëhen te drejtuesi i institucionit. Vendimi i tij është përfuindimtar.

 15.        Vendimi nr.623, datë 29.9.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për prokurimin e prodhimeve/transmetimeve të reklamave dhe spoteve nga organet e administratës shtetërore në media”, shfuqizohet.

 16.        Ngarkohen organet e qeverisjes qendrore e vendore dhe institucionet e tjera publike, të pavarura, për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 K R Y E M I N I S T R I

 SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›