VENDIM PËR HEQJEN E DISA NGASTRAVE NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR, QË DO TË PËRDOREN PËR VENDOSJEN E ANEMOMETRAVE, TË NËNSTACIONEVE, PËR INFRASTRUKTURËN LIDHËSE ELEKTRIKE, PËR AEROGJENERATORËT, SHTYLLAT E TENSIONIT TË LARTË, SI DHE PËR RRUGËT LIDHËSE
V E N D I M
PËR
HEQJEN E DISA NGASTRAVE NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR, QË DO TË PËRDOREN PËR VENDOSJEN E ANEMOMETRAVE, TË NËNSTACIONEVE, PËR INFRASTRUKTURËN LIDHËSE ELEKTRIKE, PËR AEROGJENERATORËT, SHTYLLAT E TENSIONIT TË LARTË, SI DHE PËR RRUGËT LIDHËSE ME AEROGJENERATORËT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqet në ngastrat pyjore dhe kullosore, që do të përdoren nga “Enpower Albania”, shpk, për vendosjen e anemometrave, të nënstacioneve, për infrastrukturën lidhëse elektrike, aerogjeneratorët dhe shtyllat e tensionit të lartë, prej 11.765 ha fond kullosor dhe 0.208 ha fond pyjor, gjithsej 11.973 ha, si dhe sipërfaqet në ngastrat pyjore dhe kullosore, që do të përdoren nga “Enpower Albania”, shpk, për të ndërtuar rrugët lidhëse me aerogjeneratorët, prej 2 850 ha fond pyjor dhe 80 924 ha fond kullosor, gjithsej 83 774 ha, që bëjnë pjesë në ekonomitë pyjore Brinjat e Fushës-Karaburun, Kume-Shashicë, Ana e Detit-Palasë, Parku Pyjor Llogara dhe në ekonomitë kullosore Karaburun, Dukat-Tragjas-Shashicë, Shashicë-Gumenicë, Ana e Detit, totali i sipërfaqes, gjithsej 95 746 ha, të hiqen nga fondi pyjor dhe kullosor kombëtar dhe të çregjistrohen nga zëri kadastral pyll dhe kullota, sipas tabelave 1 e 2 dhe hartave përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Përcaktimin në terren dhe në hartë të kufijve të rinj të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, që rezultojnë nga heqja e sipërfaqeve të këtyre ngastrave, sipas pikës 1, të këtij vendimi, si dhe përfundimin e procedurave të pagesave, sipas vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave”.
3. “Enpower Albania”, shpk, brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të përmirësojë 93 ha kullota, si dhe të pyllëzojë 4 ha me pyje sipas ngastrave të përcaktuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor.
4. Ngarkohet Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA