E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.205, DATË 13.4.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË KODIT DOGANOR”, TË NDRYSHUAR

V E N D I M


PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.205, DATË 13.4.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË KODIT DOGANOR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, 82 e 199, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pjesën I, titulli I, kreu II, pika 2.5, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2.5. Për qëllime të pikave 118-120, të këtyre dispozitave:

A. Mallra, që cenojnë të drejtën e pronësisë intelektuale, janë:

1. Mallrat e falsifikuara, që janë:

i) mallrat, përfshirë edhe ambalazhimin e tyre, të cilat, pa lejen e mbajtësit të së drejtës, mbajnë një markë tregtare, identike me atë të regjistruar rregullisht për të njëjtat lloje mallrash ose që në thelb është e padallueshme nga kjo markë, duke cenuar të drejtat e mbajtësit të kësaj marke tregtare, sipas legjislacionit në fuqi;
ii) secila shenjë tjetër identifikuese, përfshirë edhe logon, etiketën, etiketën vetëngjitëse, fletëpalosjen, fletët ilustruese ose ndonjë dokument garancie, që mban shenja të tilla, edhe nëse paraqiten veçmas, në të njëjtat kushte të përmendura në pikën “i”, të këtij neni;
iii) paketimet, që përmbajnë markën tregtare të një malli të falsifikuar, edhe në qoftë se paraqiten veçmas, por në të njëjtat kushte të përmendura në pikën “i”, të këtij neni.

2. Mallrat pirate, që janë mallrat e prodhuara ose që përmbajnë kopje, të prodhuara pa pëlqimin e mbajtësit të së drejtës së autorit dhe të të drejtave të tjera, të lidhura me të, mbajtësit të së drejtës së disenjos, pavarësisht nëse janë regjistruar ose jo sipas legjislacionit kombëtar, ose të një personi të autorizuar nga mbajtësi i së drejtës në vendin e prodhimit, nëse nga prodhimi i këtyre kopjeve cenohet e drejta në fjalë, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.

3. Mallrat, që cenojnë një patentë, një certifikatë të mbrojtjes shtesë, një të drejtë të varieteteve bimore, treguesit gjeografikë.

4. Mallrat, që cenojnë të drejtën e pronësisë intelektuale, janë çdo stampë apo matricë e projektuar posaçërisht ose që është përshtatur për fabrikimin e një malli të tillë nëse nga përdorimi i këtyre modeleve a matricave cenohen të drejtat e mbajtësit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë.

B. “Mbajtësi i së drejtës” është:

1. çdo person, juridik apo fizik, vendas apo i huaj, i cili, në përputhje me ligjin, është mbajtës i një patente, disenjoje industriale, marke tregtare, emërtimi të origjinës, ndonjë certifikate mbrojtjeje shtesë, të drejte autori ose i ndonjë të drejte tjetër të ngjashme.

2. çdo person tjetër, juridik apo fizik, vendas apo i huaj, i cili ka të drejtë të përdorë secilën prej të drejtave të pronësisë intelektuale, të përmendura në shkronjën “a”, të këtij neni, apo çdo përfaqësues i mbajtësit të së drejtës ose personit, që ka të drejtën të përdorë secilën nga të drejtat e pronësisë intelektuale.

C. “Deklaratë për vendosje në qarkullim të lirë, eksport ose rieksport”, nënkupton deklaratat e bëra në përputhje me nenin 86, të Kodit Doganor.”.

2. Në pjesën I, titulli 3, kreu IV, bëhen këto shtesa e ndryshime:

a) Titulli “Vlefshmëria ligjore e informacionit tarifor të detyrueshëm” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Vlefshmëria ligjore e informacionit tarifor të detyrueshëm dhe informacioni detyrues i origjinës”.

b) Pas pikës 29.2 shtohen pikat 29.3 e 29.4, me këtë përmbajtje:

“29.3. Mbajtësi i informacionit, i cili pushon së qeni i vlefshëm, sipas nenit 22/5/b, c, të Kodit, mund ta përdorë atë informacion për një periudhë gjashtëmujore nga data e përcaktuar në pikën 29.2, me kusht që të ketë përfunduar kontrata e detyrueshme për blerjen ose shitjen e mallrave në fjalë, bazuar në informacionin e detyrueshëm, përpara miratimit të masës në fjalë. Megjithatë, në rast të produkteve, për të cilat është paraqitur një certifikatë importi, eksporti ose e përcaktuar paraprakisht, gjatë kryerjes së formaliteteve doganore periudha gjashtëmujore zëvendësohet me periudhën e vlefshmërisë së certifikatës.

Në rastet e parashikuara në nenin 22/5/a, të Kodit, aktet, ligjore ose nënligjore, mund të përcaktojnë një periudhë, gjatë së cilës do të zbatohet nënparagrafi i parë.

Klasifikimi tarifor në informacionin e detyrueshëm mund të zbatohet në kushtet e parashikuara në pikën 29.3, vetëm për qëllime të:

i) llogaritjes së detyrimeve të eksportit ose importit;
ii) përllogaritjes së rimbursimeve të eksportit dhe të çdo lloj shumash të tjera të lëshuara për importe ose eksporte, si pjesë e politikës së përbashkët bujqësore;
iii) përdorimit të certifikatave të importit, eksportit ose të përcaktuara paraprakisht, të cilat dorëzohen kur kryhen formalitetet për pranimin e deklaratës doganore për mallrat në fjalë, me kusht që certifikata të tilla të jenë lëshuar bazuar në informacionin në fjalë.

29.4. Autoritetet doganore, kundrejt kërkesës me shkrim, japin informacion detyrues të origjinës.

1) Informacioni detyrues i origjinës do të jetë i detyrueshëm për autoritetet doganore, si edhe për mbajtësin e informacionit vetëm për përcaktimin e origjinës së mallrave. Informacioni detyrues i origjinës do të jetë detyrues për autoritetet doganore vetëm për mallrat, formalitetet doganore të të cilave kanë përfunduar pas datës, në të cilën informacioni është dhënë nga ata.

2) Mbajtësi i një informacioni të tillë duhet të jetë i aftë të provojë që, për qëllime origjine, mallrat në fjalë dhe rrethanat, që përcaktojnë marrjen e origjinës, korrespondojnë në çdo aspekt me mallrat dhe rrethanat e përshkruara në informacion.

3) Informacioni detyrues i origjinës do të jetë i vlefshëm për një periudhë trevjeçare, duke filluar nga data e lëshimit. Përveç rasteve të parashikuara në nenin 19, të Kodit Doganor, ai do të anulohet kur bazohet në informacione jo të sakta dhe të paplota, të dhëna nga kërkuesi.

4) Informacioni detyrues i origjinës do të pushojë së qeni i vlefshëm:

a) nëse miratohet një ligj i ri ose kur hyn në fuqi një marrëveshje ndërkombëtare dhe informacioni tashmë nuk përputhet më me to;
b) kur nuk përputhet më me marrëveshjen për rregullat e origjinës, paraqitur në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), me shënimet shpjeguese ose një opinion për origjinën, të pranuar për intepretimin e marrëveshjes në fjalë;
c) kur revokohet ose ndryshohet, në përputhje me nenin 20, të Kodit Doganor, me kusht që mbajtësi të ketë qenë informuar paraprakisht;
ç) kur data në të cilën informacioni detyrues i origjinës pushon së qeni i vlefshëm për rastet e përmendura në shkronjat “a” e “b”, do të jetë data e botimit të masave të përmendura.

5) Mbajtësi i informacionit, i cili pushon së qeni i vlefshëm sipas shkronjave “b” e “c”, të pikës 4, mund ta përdorë atë informacion për një periudhë gjashtëmujore nga data e botimit ose njoftimit të masave të përmendura në paragrafin 4, të kësaj pike, me kusht që të ketë përfunduar kontrata e detyrueshme për blerjen ose shitjen e mallrave në fjalë, bazuar në informacionin e detyrueshëm, përpara miratimit të masës në fjalë. Megjithatë, në rast të produkteve, për të cilat është paraqitur një certifikatë importi/eksporti ose një e tillë, e përcaktuar paraprakisht, gjatë kryerjes së formaliteteve doganore, periudha gjashtëmujore zëvendësohet me një periudhë të vlefshmërisë së certifikatës.

Në rastin e paragrafit 4 (a), të kësaj pike, akti, ligjor ose nënligjor, ose marrëveshja mund të parashikojnë një periudhë, gjatë së cilës do të zbatohet nënparagrafi i parë.

6) Përcaktimi i origjinës në informacionin detyrues mund të zbatohet në kushtet e parashikuara në paragrafin 5, vetëm për qëllime të:

i) llogaritjes së detyrimeve të eksportit ose importit;
ii) përllogaritjes së rimbursimeve të eksportit dhe të çdo lloj shume tjetër, të lëshuara për importe ose eksporte, si pjesë e politikës së përbashkët bujqësore;
iii) përdorimit të certifikatave të importit, eksportit ose të përcaktuara paraprakisht, të cilat dorëzohen kur kryhen formalitetet për pranimin e deklaratës doganore për mallrat në fjalë, me kusht që certifikata të tilla të jenë lëshuar bazuar në informacionin në fjalë.”.

3. Në pjesën 1, titulli 9, krerët I e II ndryshohen, si më poshtë vijon:

“118. Në zbatim të nenit 82 (4), të Kodit Doganor, ky kre përcakton:

1) Procedurën për ndërmarrjen e veprimeve nga autoritetet doganore, kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme dyshimi se cenohet një e drejtë e pronësisë intelektuale, nga mallra, të cilat:

i) janë vendosur në qarkullim të lirë, janë eksportuar ose rieksportuar, në përputhje me legjislacionin doganor;
ii) janë zbuluar gjatë kontrollit të mallrave, që hyjnë ose dalin nga zonat doganore të Republikës së Shqipërisë, dhe që janë vendosur nën regjimin e tranzitit, të magazinimit doganor, importit, përpunimit nën kontroll doganor, importit të përkohshëm ose që janë vendosur në një zonë të lirë a magazinë të lirë, në përputhje me legjislacionin doganor.

2) Masat, të cilat ndërmerren për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, nga autoritetet doganore kur mallrat e përcaktuara në paragrafin 1, të kësaj pike, janë gjetur në shkelje të së drejtës së pronësisë intelektuale.

118.1. Këto dispozita nuk do të zbatohen për:

i) mallrat, të cilat mbajnë një markë tregtare, me leje të mbajtësit të kësaj marke, ose mallrat, që mbajnë tregues gjeografikë të mbrojtur, apo që janë të mbrojtura nga një patentë a certifikatë shtesë mbrojtjeje, e drejtë e autorit apo të drejta të tjera të lidhura me të, ose një e drejtë e varieteteve bimore dhe të cilat janë prodhuar me miratimin e mbajtësit të së drejtës, por që janë vendosur në njërën prej situatave të referuara në pikën 118, paragrafi 1, pa miratimin e këtij të fundit.
ii) mallrat e përmendura në nënpikën “i” më sipër, të cilat janë prodhuar apo mbrojtur nga një e drejtë e pronësisë intelektuale, e ndryshme nga ato të përmendura në pikën 2.5, në kushte të ndryshme nga ato të rëna dakord me mbajtësin e së drejtës.
iii) mallrat, pjesë e bagazhit personal të udhëtarit, të cilat janë të një natyre jotregtare, brenda limiteve të lejuara të duty free, dhe nuk ka tregues të dyshimtë, që mallrat në fjalë janë pjesë e trafikut tregtar.

119.

119.1. Kur autoritetet doganore, në rastet e përmendura në pikën 118, paragrafi 1, dhe përpara paraqitjes së një kërkese nga mbajtësi i së drejtës ose përpara miratimit të saj nga autoritetet doganore, kanë shkaqe të arsyeshme dyshimi, që mallrat cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale, mund të pezullojnë çlirimin e tyre dhe t’i sekuestrojnë ato.

119.2. Për masat e përmendura në paragrafin e mësipërm, autoriteti doganor njofton menjëherë mbajtësin e së drejtës, si dhe deklaruesin ose zotëruesin e mallit. Mbajtësi i së drejtës, brenda 3 ditëve pune nga çasti i marrjes së njoftimit, duhet të paraqesë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kërkesën për veprim.

119.3. Autoritetet doganore,  pa zbuluar të dhëna të tjera, me përjashtim të të dhënave për sasinë reale apo të përafërt të mallit dhe për llojin e tij dhe para se të informojnë mbajtësin e së drejtës për cenimin e mundshëm të së drejtës, mund të kërkojnë nga mbajtësi i së drejtës të gjithë informacionin e nevojshëm, për të verifikuar shkaqet e tyre të dyshimit.

119.4. Mbajtësi i së drejtës, kur ka dyshime se mallrat e ndodhura në njërën prej situatave të  përcaktuara në pikën 118, paragrafi 1, cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale, mund të paraqesë një kërkesë për veprim, me shkrim, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për ndërmarrjen e veprimeve nga ana e autoriteteve doganore.

1) Kërkesa për veprim duhet të përmbajë të gjitha të dhënat e nevojshme për njohjen e lehtë të mallrave nga autoritetet doganore dhe, veçanërisht,:

a) një përshkrim të saktë dhe të hollësishëm teknik të mallit;
b) çdo të dhënë tjetër të veçantë, që mund të disponojë mbajtësi i së drejtës, për sa i përket llojit të falsifikimit.
c) emrin dhe mbiemrin, adresën e saktë dhe numrin e telefonit të personit të kontaktit, të caktuar nga ana e mbajtësit të së drejtës.

2) Kërkesës për veprim duhet t’i bashkëlidhet një deklaratë, në përputhje me piken 119.4, paragrafi 5, si edhe një dëshmi, me anë të cilës të vërtetohet se kërkuesi është mbajtës i së drejtës për mallin në fjalë;

a) Në rastet kur aplikues është  vetë mbajtësi i së drejtës, atëherë dëshmia e kërkuar në pikën 119.4. paragrafi 2, do të jetë,:

i) kur një e drejtë është regjistruar apo ka filluar procedura e regjistrimit, një certifikatë regjistrimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Markave dhe Patentave.
ii) kur një e drejtë e autorit apo të drejta të tjera, të lidhura me të, një e drejtë disenjoje industriale apo modeli nuk është regjistruar a nuk ka filluar procedura e regjistrimit, çdo dëshmi, që vërteton autorësinë ose statusin e kërkuesit, si mbajtës i së drejtës.
iii) për treguesit gjeografikë, përveç dëshmisë së përmendur në paragrafin 2, shkronja “a”, nënndarja (i), do të paraqitet edhe një vërtetim, që provon se mbajtës i së drejtës është prodhuesi ose prodhuesit e mallrave në fjalë.
b)  Kur  kërkesa për veprim bëhet nga një person, i cili ka të drejtë të përdorë një të drejtë të pronësisë intelektuale, përveç dëshmive të përmendura në shkronjën “a”, do të paraqitet edhe një dokument, me anë të të cilit vërtetohet se personi në fjalë është i autorizuar ta përdorë këtë të drejtë.

c)  Kur  kërkesa për veprim bëhet nga një përfaqësues i mbajtësit të së drejtës, përveç dëshmive të përmendura në shkronjën “a”, duhet të paraqesë edhe një dokument, me anë të të cilit të vërtetohet se personi në fjalë ka të drejtë të veprojë si përfaqësues.

3) Gjithashtu, kur i kërkohet dhe në qoftë se i disponon, mbajtësi i së drejtës duhet të paraqesë edhe të gjitha të dhënat, që ai ka për:

i. vlerën doganore të mallit origjinal në tregun e Republikës së Shqipërisë;
ii. vendndodhjen e mallit apo destinacionin e tij;
iii. karakteristikat, që e dallojnë ngarkesën;
iv. datën e pritshme të arritjes apo të nisjes së mallit;
v. të dhëna për mjetet e përdorura për transport;
vi. të dhëna për importuesin, eksportuesin ose për personin, që posedon mallin;
vii. vendin apo vendet e prodhimit dhe itineraret e përdorura për transferim;
viii. ndryshimet teknike, kur këto janë të njohura, ndërmjet mallit, origjinal dhe mallit, për të cilin ekziston dyshimi se cenon të drejtën e pronësisë intelektuale;

4) Përveç të dhënave të parashikuara nga paragrafët 1, 2 e 3, të pikës 119.4, autoritetet doganore, gjithashtu, mund të kërkojnë të dhëna të tjera, të veçanta, të tilla si vendi i prodhimit, shpërndarësit, emrat e të licencuarve, etj., që kanë lidhje me llojin e së drejtës së pronësisë intelektuale dhe që do të lehtësonin analizimin teknik të mallrave në fjalë.

5) Kërkesës për veprim i bashkëlidhet edhe një deklaratë, me anë të së cilës mbajtësi i së drejtës mbart mbi vete çdo përgjegjësi ndaj personave të përfshirë në njërën prej situatave të përmendura në pikën 118, paragrafi 1,  kur procedura e filluar, sipas pikës 120.1, është ndërprerë për arsye të veprimit ose mosveprimit nga ana e mbajtësit të së drejtës ose kur është konfirmuar se mallrat në fjalë nuk cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale.

Me anë të kësaj deklarate, mbajtësi i së drejtës merr, gjithashtu, përsipër të gjitha shpenzimet e bëra për mbajtjen e mallit nën magazinim dhe mbikëqyrje doganore.

6) Mbajtësit të së drejtës nuk i kërkohet asnjë pagesë për të mbuluar shpenzimet administrative për shqyrtimin e kërkesës.

7) Në rastet kur kërkesa për veprim nuk përmban të dhënat e detyrueshme, të përcaktuara në pikën 119.4 dhe nënpikat e saj, ose nëse këto nuk janë të plota, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave refuzon shqyrtimin e kërkesës për veprim. Për këtë vendim, kjo e fundit duhet të shpjegojë arsyet, ku janë bazuar këto vendime, duke  përfshirë edhe informacionin për procedurat e ankimimit. Kërkesa mund të riparaqitet vetëm në rast se është plotësuar me dokumentacionin e nevojshëm.

119.5

a) Kërkesa për veprim shqyrtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave brenda 30 ditësh pune nga data e marrjes së kërkesës për veprim dhe i njoftohet me shkrim kërkuesit.

b) Kur kërkesa pranohet, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përcakton afatin, brenda të cilit autoritetet doganore kompetente do të ndërmarrin veprime, afat i cili nuk mund të jetë më i gjatë se një vit nga data e pranimit të kërkesës. Para mbarimit të këtij afati, nëse paraprakisht është paguar çdo lloj detyrimi në ngarkim të mbajtësit të së drejtës, ky i fundit mund të kërkojë zgjatjen e afatit.

c) Vendimi për pranimin e kërkesës i komunikohet menjëherë zyrës doganore, nën mbikëqyrjen e së cilës ndodhen mallrat, që dyshohen se cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale. Vendimi në fjalë i komunikohet edhe zyrës doganore, nën mbikëqyrjen e së cilës ndodhen mallrat në fjalë, edhe nga mbajtësi i së drejtës, i cili vë në dispozicion të kësaj zyre çdo informacion tjetër të nevojshëm, të kërkuar prej saj.

ç) Mbajtësi i së drejtës është i detyruar të njoftojë menjëherë Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, nëse të drejtat e tij mbi mallin pushojnë së qeni të vlefshme ose kjo e drejtë nuk është më e regjistruar rregullisht apo ka skaduar.

120.
120.1

a) Kur zyra doganore, nën mbikëqyrjen e së cilës ndodhen mallrat, që dyshohen se cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale, menjëherë pasi i është komunikuar vendimi për pranimin e kërkesës për veprim dhe pas këshillimit me kërkuesin, nëse një gjë e tillë është e nevojshme, vërteton se mallrat e ndodhura në njërën prej situatave të parashikuara në pikën 118, paragrafi 1, i korrespondojnë përshkrimit të mallrave, që përmbahen në vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ky autoritet pezullon çlirimin e tyre ose i sekuestron ato.

b) Zyra doganore njofton menjëherë Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave si dhe mbajtësin e së drejtës dhe deklaruesin ose personin, që posedon mallin, për veprimet e ndërmarra. Gjithashtu, zyrat doganore mund t’u japin informacion këtyre të fundit për sasinë dhe llojin, real apo të supozuar, të mallrave për të cilat çlirimi është pezulluar ose që janë sekuestruar.

c) Për të përcaktuar nëse ka patur cenim të së drejtës së pronësisë intelektuale dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, sekretit tregtar dhe industrial, si dhe sekretit profesional, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ose zyra doganore kompetente, që ka ndërmarrë veprimet, do t’i komunikojnë mbajtësit të së drejtës, mbi bazën e një kërkese me shkrim prej tij dhe nëse i disponon, emrat dhe adresat e pritësit të mallit, të dërguesit, deklaruesit ose personit, që posedon mallrat, si dhe origjinën e mallrave, për të cilat ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për të dyshuar se mallrat në fjalë cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale.

ç) Zyrat doganore i japin mundësi kërkuesit dhe personave të përfshirë në njërën prej situatave të përmendura në pikën 118, paragrafi 1, që të kontrollojnë mallrat, për të cilat çlirimi është pezulluar ose që janë sekuestruar.

d) Gjatë kontrollit të mallrave, autoritetet doganore mund të marrin mostra dhe, në bazë të një kërkese me shkrim të mbajtësit të së drejtës, mund t’ia japin mostrat këtij të fundit vetëm për bërjen e analizave dhe përshpejtimin e procedurave. Në qoftë se është e mundur dhe përveç rasteve të përmendura në pikën 120.2, paragrafi i tretë, mostrat duhet të kthehen menjëherë pas bërjes së analizës teknike dhe përpara se të revokohet vendimi për pezullimin e çlirimit të mallrave dhe ato të çlirohen. Të gjitha analizat e këtyre mostrave kryhen nën përgjegjësinë dhe shpenzimet e mbajtësit të së drejtës.

dh) Mbajtësi i së drejtës, të dhënat e siguruara sipas pikës 120.1, shkronja “c”, i përdor vetëm për procedurën e vërtetimit të cenimit të një së drejte të pronësisë intelektuale. Për përdorimin e të dhënave në kundërshtim me pikën 120 (c), mbajtësi i së drejtës ngarkohet me përgjegjësi civile, gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave revokon vendimin për pranimin e kërkesës për veprim për periudhën e mbetur apo refuzon kërkesën për zgjatjen e afatit.

120.2.


Autoritetet doganore, me miratimin e mbajtësit të së drejtës, miratim ky që mundëson braktisjen e mallrave për t’u shkatërruar nën kontroll doganor, mund të përdorin procedurën e përshpejtuar për shkatërrimin e mallrave, për të cilat është pezulluar çlirimi i tyre, pa qenë nevoja për të vërtetuar, sipas procedurës së përcaktuar në pikën 120.2, nëse është cenuar një e drejtë e pronësisë intelektuale  me kusht që:
i) mbajtësi i së drejtës të njoftojë me shkrim autoritetet doganore (DPD), brenda 10 ditëve pune nga data e njoftimit të vendimit për pranimin e kërkesës për veprim, se mallrat në fjalë cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale, dhe u paraqet autoriteteve doganore një deklaratë me shkrim të deklaruesit, poseduesit ose pronarit të mallrave, përmes së cilës këta të fundit bien dakord të braktisin mallrat në fjalë për shkatërrim. Afati i mësipërm është 3 ditë pune në rast të mallrave, që prishen lehtë. Deklaruesi, poseduesi ose pronari i mallit munden që në mënyrë të drejtpërdrejtë të paraqesin pranë autoritetit doganor pëlqimin për shkatërrimin e mallit. Do të vlerësohet se deklaruesi, poseduesi ose pronari i mallit kanë dhënë pëlqimin për shkatërrimin e mallrave nëse, brenda afatit e përcaktuar në këtë nënparagraf, nuk kundërshtojnë shkatërrimin e mallrave, për të cilat ata kanë dijeni. Ky afat mundet të shtyhet deri në dhjetë ditë pune.
ii) Shkatërrimi i mallrave do të kryhet me shpenzimet dhe nën përgjegjësine e mbajtësit të së drejtës, si dhe  paraprihet sistematikisht me marrjen e mostrave nga autoritetet doganore, të cilat mund të përbëjnë prova në proceset gjyqësore.
iii)  Në të gjitha rastet e tjera, për shembull kur deklaruesi, mbajtësi apo pronari i mallrave  kundërshtojnë shkatërrimin e tyre, do të zbatohet procedura e përcaktuar në pikën 120.3.

120.3.


a) Nëse, brenda 10 ditë punëve nga komunikimi i vendimit për pezullimin e çlirimit të mallrave apo sekuestrimin e tyre, zyra doganore nuk është njoftuar nga mbajtësi i së drejtës, sipas pikës 120.1, se ka filluar procedura për vërtetimin e cenimit të së drejtës së pronësisë intelektuale ose nuk ka marrë miratimin e mbajtësit të së drejtës, sipas pikës 120.2, atëherë zyra doganore do të lëshojë mallin, pasi të jenë kryer të gjitha procedurat dhe formalitetet doganore në fuqi. Ky afat mund të zgjatet deri në 10 ditë pune.
b) Për mallrat, që prishen lehtë dhe për të cilat ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për të dyshuar se cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale, afati i përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike, do të jetë tri ditë pune dhe ky afat nuk mund të zgjatet.
c) Mbajtësi i së drejtës njofton autoritetin doganor se ka filluar procedura për vërtetimin e cenimit të një së drejte të pronësisë intelektuale, nëpërmjet paraqitjes së një kopjeje të aktpadisë, të paraqitur pranë gjykatës kompetente.
ç) Me fillimin e procedurës së përcaktuar në shkronjat “a” e “c”, të kësaj pike, zyra doganore do të shfuqizojë vendimin per pezullimin e çlirimit të mallrave apo sekuestrimin e tyre.

120.4.

a) Deklaruesi, pronari i mallrave, poseduesi, importuesi ose pritësi i mallrave mund të kërkojnë nga autoritetet doganore çlirimin e mallrave, për të cilat ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për të dyshuar se malli cenon një të drejtë të pronësisë industriale dhe për të cilat është pezulluar çlirimi apo janë sekuestruar, me kusht, që të depozitohet një garanci, dhe nëse:

i)  autoriteti doganor është njoftuar, në përputhje me pikën 120.3. shkronja “a”, se ka filluar procedura për vërtetim cenimi të një së drejte të pronësisë intelektuale;
ii)  gjykata kompetente nuk ka marrë ndonjë masë sigurie për mallrat në fjalë, përpara afatit të përcaktuar në pikën 120.3, shkronja “a”;
 iii)   të gjitha formalitetet doganore janë kryer.

b) Kur procedura për vërtetimin e faktit nëse është cenuar një e drejtë e pronësisë industriale ka filluar jo me nismën e mbajtësit të së drejtës, garancia do të çlirohet nëse personi, që ka filluar këtë procedurë, nuk e ushtron të drejtën për të ndjekur çështjen në rrugë ligjore, brenda afatit prej 20 ditësh pune nga data kur ka marrë njoftimin për pezullimin e çlirimit të mallrave apo sekuestrimin e tyre.

c) Garancia, e parashikuar në paragrafin 1, të këtij neni, duhet të jetë e mjaftueshme për të mbrojtur interesat e mbajtësit të së drejtës.

120.5.

a) Mallrat, për të cilat është pezulluar çlirimi i tyre apo janë sekuestruar, për arsye se dyshohen se cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale, do të ruhen nën mbikëqyrje doganore, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor.
b) Aplikuesi është i detyruar të paguajë të gjitha detyrimet, që lindin nga magazinimi i mallrave.
c) Mallrat, për të cilat është vërtetuar se cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale pas përfundimit të procedurës sipas pikës 120.1, nuk do të:

- lejohen të hyjnë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë;
- çlirohen për qarkullim të lirë;
- largohen nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë;
- eksportohen;
- rieksportohen;
- vendosen nën procedurën me pezullim;
- vendosen në një zonë të lirë ose magazinë të lirë.

120.6

a) Pranimi i kërkesës nuk i jep mbajtësit të së drejtës të drejtën për të pretenduar kompensim për dëmin, kur disa mallra, që cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale, nuk janë zbuluar nga autoriteti doganor dhe, si rrjedhojë, janë çliruar ose nuk janë ndërmarrë veprime për pezullimin e çlirimit apo sekuestrimin e tyre, në përputhje me pikën 120.1.
b) Autoritetet doganore ose ndonjë autoritet tjetër, kur është nevoja që ky i fundit të ndërhyjë, për luftën kundër mallrave, që cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale, nuk mbajnë përgjegjësi ndaj personave të përfshirë në njërën prej situatave të përmendura në pikën 118, paragrafi 1, për dëmet e shkaktuara, si rezultat i veprimeve të ndërmarra nga këto autoritete.”.


4. Në  pjesën II, titulli III, kreu II, “Magazinimi doganor”, pika 251.2,  në shkronjën “a”, shprehja “...furnizim ose pajisje të anijeve dhe mjeteve ajrore në trafik ndërkombëtar...” zëvendësohet me “...furnizim ose pajisje të anijeve dhe mjeteve ajrore në trafik ndërkombëtar, si dhe anijeve vendase të peshkimit.t”.

5. Në pjesën III, titulli 5, kreu II,  bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
           
A) Në pikën 518, të seksionit 11, “Mallrat për organizata bamirëse, organizma filantropie ose për qëllime ndihme për ente bamirëse, institucione fetare, ente publike, si dhe ente shtetërore buxhetore” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:

“e) Mallra të çfarëdolloj përshkrimi, të dërguara falas nga një person apo organizate e vendosur në një vend jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, për qëllime jotregtare nga ana e dërguesit, për organizata shtetërore apo organizata të tjera bamirëse a filantropike, të miratuara nga autoritetet doganore kompetente, për t’u përdorur për mbledhje fondesh në ngjarje të posaçme bamirësie për personat në nevojë.”.

B) Pika 523, e seksionit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ 523.

523.1. Pa rënë ndesh me pikat nga 524 deri 528, mallrat e importuara nga organizata bamirëse, filantropike ose fetare, entet publike, si dhe institucionet buxhetore shtetërore, të miratuara prej autoriteteve doganore për këtë qëllim, përjashtohen nga detyrimet e importit, kur destinohen:

a) për shpërndarje falas viktimave të fatkeqësive, që godasin territorin doganor të Republikës së Shqipërisë;
b) për t’ua vënë në dispozicion falas viktimave të fatkeqësive të tilla, ndonëse mbeten pronë e organizatave në fjalë.

523.2. Mallrat e importuara për qarkullim të lirë nga agjencitë, shoqatat apo strukturat e miratuara, për lehtësimin e pasojave nga fatkeqësitë, për plotësimin e nevojave të tyre gjatë periudhës së veprimtarisë, do të përfitojnë përjashtim nga detyrimet e importit, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 523.1.”.

C) Titulli i seksionit 21  bëhet, si më poshtë vijon:

“Seksioni 21
Karburante dhe vajra lubrifikuese, që ndodhen në automjetet rrugore dhe serbatorë të veçantë”.

Ç) Pika 549.1, shkronja “a”, ndryshohet si më poshtë vijon:

“a) karburantet, që mbahen në serbatorët e zakonshëm të:

i)  automjeteve, tregtare apo private, dhe motoçikletave;
ii) kontenierë të veçantë,

që hyjnë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë.”.
 
D) Në pikën 549.2, pas shkronjës “c” shtohet shkronja “ç” me këtë përmbajtje:

“ ç). “serbatorë të veçantë”, do të thotë çdo serbator, i vendosur në aparatet e veçantë  të sistemeve të ftohjes, oksigjenimit, të injektimit termik apo sistemeve të tjera.”.

6. Aneksi 4, “Lista e veprimeve punuese ose përpunuese, që kërkohen për t’u kryer mbi materialet joorigjinuese, me qëllim që produkti i fabrikuar të përfitojë statusin e origjinës (SPP)”, zëvendësohet me aneksin  4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›