VENDIM PËR DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E INSTITUCIONIT “SHKOLLA E LARTË PRIVATE MESDHETARE E SHQIPËRIS˔
DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E INSTITUCIONIT “SHKOLLA E LARTË PRIVATE MESDHETARE E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e lejes për hapjen e institucionit “Shkolla e lartë private mesdhetare e Shqipërisë”, e cila do ta ushtrojë veprimtarinë në qytetin e Tiranës.
2. “Shkolla e lartë private mesdhetare e Shqipërisë” do të organizohet në tri fakultete:
a) Në Fakultetin e Shkencave Politike, me program studimi në “Shkenca politike”, në formën e studimeve me kohë të plotë;
b) Në Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me program studimi në “Marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci”, në formën e studimeve me kohë të plotë;
c) Në Fakultetin e Shkencave Ekonomike, me program studimi në “Ekonomi”, në formën e studimeve me kohë të plotë.
3. “Shkolla e lartë private mesdhetare e Shqipërisë” do të ofrojë programe studimi, të ciklit të parë, të cilat do të zgjasin 3 vite dhe në mbarim të tyre do të lëshohet “Diplomë të nivelit të parë” (DNP), përkatësisht, në:
a) Shkenca politike;
b) Marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci;
c) Ekonomi.
4. Ngarkohet “Shkolla e lartë private mesdhetare e Shqipërisë”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, pas vitit të parë, nga një personel akademik і huaj, me kualifikimin e nevojshëm dhe sipas specialiteteve.
5. “Shkolla e lartë private mesdhetare e Shqipërisë” do ta fillojë veprimtarinë mësimore, për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë lejen përkatëse nga ministri і Arsimit dhe Shkencës, por jo më vonë se tri javë para fillimit të vitit akademik.
Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni privat i arsimit të lartë ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.
6. Ndryshimet në vendndodhje, plane, forma studimi dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
7. “Shkolla e lartë private mesdhetare e Shqipërisë” duhet t’u nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të këtyre programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.
8. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
19/02/2009