E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “ZOJA E KËSHILLIT TË MIR˔

V E N D I M

 

 

PËR

 

HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “ZOJA E KËSHILLIT TË MIRË”

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Hapjen, pranë shkollës së lartë universitare, private, “Zoja e Këshillit të Mirë”, të programit të studimit “Master i nivelit të parë”, për “Menaxhim për funksionet e koordinimit”.

2.             Programi i studimit “Master i nivelit të parë” do të jenë program studimi i ciklit të dytë, në plotësimin e, të paktën, 60 krediteve. Në mbarim të tij lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” (MNP), në “Menaxhim për funksionet e koordinimit”.

3.             Hapjen, pranë shkollës së lartë universitare, private “Zoja e Këshillit të Mirë”, të programeve të studimit “Master i nivelit të dytë”, në:

a)        Qeverisje dhe zhvillim territorial;

b)       Organizim e drejtim i institucioneve dhe i shërbimeve shëndetësore;

c)        Ortodonci;

ç)  Implantologji dhe proteza dentare.

4.             Programet e studimit “Master i nivelit të dytë” do të jenë programe studimi të ciklit të tretë, në plotësimin e, të paktën, 60 krediteve. Në mbarim të tyre lëshohet diplomë “Master i nivelit të dytë” (MND), përkatësisht, në:

a)        “Qeverisje dhe zhvillim territorial”;

b)       “Organizim e drejtim i institucioneve dhe i shërbimeve shëndetësore”;

c)        “Ortodonci”;

ç)  “Implantologji dhe proteza dentare”.

5.             Ngarkohet shkolla e lartë universitare, private, “Zoja e Këshillit të Mirë”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, nga një personel akademik i huaj, me kualifikimin e nevojshëm.

6.             Shkolla e lartë universitare, private, “Zoja e Këshillit të Mirë”, do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikat 1 e 3, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se dy javë para fillimit të vitit akademik, lejen përkatëse, nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.

7.             Ndryshimet në vendndodhje, forma studimi, plane dhe programe, si dhe elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

8.             Shkolla e lartë universitare, private, “Zoja e Këshillit të Mirë”, duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional të këtyre programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.

9.             Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

    K R Y E M I N I S T R I

 

 

SALI  BERISHA


05/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›