VENDIM PËR HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMEVE “MASTER I NIVELIT TË DYT˔, NË FAKULTETIN E INXHINIERISË ELEKTRIKE, TË UNIVERSITETIT POLITEKNIK TË TIRANËS
PËR HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMEVE “MASTER I NIVELIT TË DYTË”, NË FAKULTETIN E INXHINIERISË ELEKTRIKE, TË UNIVERSITETIT POLITEKNIK TË TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26 e 42, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, të Universitetit Politeknik të Tiranës, të programit të studimeve, të ciklit të tretë, “Master i nivelit të dytë”, në “Automatikë dhe teknologjitë e kontrollit”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë, “Master i nivelit të dytë”, (MND), në automatikë dhe teknologjitë e kontrollit.
2. Programi i studimeve “Master i nivelit të dytë” realizohet me jo më pak se 60 kredite dhe kohëzgjatja normale është, minimumi, një vit.
3. Ky program studimi e fillon veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Universitetin Politeknik të Tiranës.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
29/07/2009