E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR LICENCIMIN E SHKOLLËS “SHKOLLA E LARTË PRIVATE E EDUKIMIT”

V E N D I M

 

 

PËR

 

LICENCIMIN E SHKOLLËS “SHKOLLA E LARTË PRIVATE E EDUKIMIT”

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Licencimin e shkollës “Shkolla e lartë private e edukimit”, e cila do ta ushtrojë veprimtarinë në qytetin e Tiranës.

2.             “Shkolla e lartë private e edukimit” do të organizohet në dy fakultete:

a.     Fakultetin e Shkencave të Edukimit, që do të ofrojë programin e studimit, të ciklit të dytë, në “Shkencat e edukimit”, në formën e studimeve me kohë të plotë, dhe programin e studimit “Master i nivelit të parë”, në “Shkencat e edukimit”.

b.     Fakultetin e Menaxhimit dhe të Administrimit, që do të ofrojë programin e studimit “Master i nivelit të parë”, në “Menaxhim dhe administrim i arsimit”.

3.             “Shkolla e lartë private e edukimit” do të ofrojë programin e studimit të ciklit të dytë, me kohëzgjatje 2 vite akademike, me plotësimin, së paku, të 120 krediteve. Në përfundim të këtij programi studimi lëshohet diplomë e nivelit të dytë (DND), në “Shkencat e edukimit”.

4.             “Shkolla e lartë private e edukimit” do të ofrojë programet e studimit “Master i nivelit të parë”, të cilat janë pjesë e studimeve të ciklit të dytë, me, së paku, plotësimin e 60 krediteve. Në përfundim të këtyre programeve të studimit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” (MNP), në:

a.     “Shkencat e edukimit”;

b.     “Menaxhim dhe administrim i arsimit”.

5.             Ngarkohet “Shkolla e lartë private e edukimit”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, nga personel akademik i huaj, me kualifikimin e nevojshëm.

6.             “Shkolla e lartë private e edukimit” do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se tri javë para fillimit të vitit akademik, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni privat i arsimit të lartë ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.

7.             Ndryshimet në vendndodhje, forma studimi, plane dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

8.             “Shkolla e lartë private e edukimit” duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.

9.             Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

  K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA


29/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›