VENDIM PËR HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË TRETË, “MASTER I NIVELIT TË DYT˔ NË GJUHËN SHQIPE, NË QENDRËN NDËRUNIVERSITARE TË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË TRETË, “MASTER I NIVELIT TË DYTË” NË GJUHËN SHQIPE, NË QENDRËN NDËRUNIVERSITARE TË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pika 3, 26, pika 1.3.4, e 42, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, në Qendrën Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike, të programit të studimit, të ciklit të tretë, “Master i nivelit të dytë” (MND), në Gjuhë shqipe.
2. Në përfundim të këtij programi studimi lëshohet diplomë “Master i nivelit të dytë” (MND), në Gjuhë shqipe.
3. Programi i studimit realizohet me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 1 (një) vit.
4. Ky program studimi ta fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti vjetor, miratuar për Qendrën Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra Ndëruniversitare e Studimeve Albanologjike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
08/10/2009