E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR MIRATIMIN E FONDIT PËR LIKUIDIMIN E PAGESAVE TË PRAPAMBETURA PËR PUNONJËSIT E NDËRMARRJES SHTETËRORE, ISH- KOMBINATI I TEKSTILEVE, TIRANË

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E FONDIT PËR LIKUIDIMIN E PAGESAVE TË PRAPAMBETURA PËR PUNONJËSIT E NDËRMARRJES SHTETËRORE, ISH- KOMBINATI I TEKSTILEVE, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, dhe të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1.       Miratimin e fondit,  9 600 000 (nëntë milionë e gjashtëqind mijë) lekë për investime (konservim), për likuidimin e pagave dhe të detyrimeve të prapambetura për punonjësit e ndërmarrjes shtetërore, ish-Kombinati i Tekstileve, Tiranë, sipas tabelave 1 e 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2.       Ky fond përfshin pagat e prapambetura, sigurimet, shoqërore e shëndetësore, dhe tatimin mbi pagë, për periudhën prill-dhjetor 2006, si dhe vitet 2007 e 2008.

3.       Fondi, 9 600 000 (nëntë milionë e gjashtëqind mijë) lekë, të përballohet nga buxheti i investimeve, i vitit 2008, programi “Strehim dhe urbanistikë”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

4.       Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA


24/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›