VENDIM PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË PARCELAVE NDËRTIMORE, NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË PARCELAVE NDËRTIMORE, NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të paragrafit të tretë, të nenit 175, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi i Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Miratimin e kalimit në pronësi të poseduesve të objekteve informale, të sipërfaqeve të parcelave ndërtimore, të zëna, sipas listës dhe planvendosjeve përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi, në:
· qarkun e Tiranës, 402 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 121 839,90 (njëqind e njëzet e një mijë e tetëqind e tridhjetë e nëntë presje nëntëdhjetë) m2 ;
· qarkun e Beratit, 24 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 8 354,70 (tetë mijë e treqind e pesëdhjetë e katër presje shtatëdhjetë) m2 ;
· qarkun e Dibrës, 69 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 580,00 (tridhjetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë) m2 ;
· qarkun e Gjirokastrës, 21 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 425,40 (katër mijë e katërqind e njëzet e pesë presje dyzet) m2 ;
· qarkun e Durrësit, 340 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 132 569,26 (njëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e nëntë presje njëzet e gjashtë) m2;
· qarkun e Elbasanit, 85 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 28 054,94 (njëzet e tetë mijë e pesëdhjetë e katër presje nëntëdhjetë e katër) m2 ;
· qarkun e Fierit, 13 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 641,55 (tre mijë e gjashtëqind e dyzet e një presje pesëdhjetë e pesë) m2.
· qarkun e Vlorës, 153 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 61 937,50 (gjashtëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë presje pesëdhjetë) m2 .
2. Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
18/03/2009