E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretari i Përgjithshëm i Fondacionit “Adenauer” Micheal Thielen vlerëson reformat e qeverisë "Berisha"

Kryeministri Berisha, me ftesë të Fondacionit "Konrad Adenauer", ishte sot i pranishëm në konferencën me temë “Vitet 1989/1990: era e ndryshimit në Shqipëri”, organizuar nga ky fondacion me rastin e 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.

Sekretari i Përgjithshëm Micheal Thielen, përshëndeti prezencën e kryeministrit Berisha si bashkëthemeluesin e Partisë Demokratike. “Ju keni qenë në krye të partisë më të madhe opozitare në Shqipëri,  ju keni qenë disidenti i parë i Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe ju keni çuar përpara reformat e vendit tuaj dhe keni përkrahur hapjen e Shqipërisë me botën e jashtme”, u shpreh z. Thielen.

Më tej Sekretari i Përgjithshëm Micheal Thielen ka theksuar se pas disa vitesh në opozitë me fitoren e Partisë Demokratike në 2005 zoti Berisha mori postin e Kryeministrit të Shqipërisë duke i dhënë që atëherë shumë impulse vendit e duke e çuar Shqipërinë përpara në rrugën e integrimit euroatlantik.

“Reformat tuaja bënë që Shqipëria të merrte ftesën për anëtarësimin në NATO vitin që kaloi. Ju keni hapur vendin tuaj ndaj botës për investime të mëdha ekonomike. Keni zgjeruar marrëdhëniet e mira ekonomike me vendet e Ballkanit. Zoti Kryeministër që nga marrja e këtij posti ju keni çuar përpara luftën kundër korrupsionit. Qeveria juaj ka vënë në jetë reforma të rëndësishme në drejtësi ndaj dhe jemi të gjithë të të njëjtit mendim se pavarësia e drejtësisë duhet ruajtur dhe forcuar si dhe duhet të respektohen parimet e shtetit ligjor”.

Sekretari i Përgjithshëm Micheal Thielen vuri theksin në këtë përshëndetje edhe tek ligji prej të cilit personat zyrtarë, ata që kanë poste të rëndësishme, kontrollohen përsa i përket lidhjeve të tyre me ish-sistemin totalitar. “Ky ligj është diskutuar në mënyrë kontraverse në vendin tuaj si edhe në botën e jashtme. Ne i urojmë Shqipërisë që ky diskutim të arrijë në një rezultat që t’i japë një impuls të fuqishëm pajtimit shoqëror në këtë vend”.

Në fund të përshëndetjes së tij z. Thielen ka pohuar se viti 2009 është një vit i rëndësishëm për Shqipërinë. “Në Qershor do të keni zgjedhjet parlamentare. Vendi juaj do të pranohet këtë vit si anëtar me të drejta të plota në NATO dhe kjo na gëzon shumë. Pas kësaj qeveria juaj po përpiqet të fitojë statusin e vendit kandidat të BE-së. Të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë ratifikuar MSA-në me vendin tuaj dhe kjo është një shenjë e besimit të palëkundur në faktin se kursi i reformave të vendit tuaj është drejt një suksesi të plotë. Kjo është e nevojshme për të çuar përpara perspektivën e përbashkët europiane të Shqipërisë”. 

Në përfundim Sekretari i Përgjithshëm i Fondacionit “Adenauer” falenderoi Kryeministrin Berisha për fjalimin impresionues dhe profesional, që i bëri të gjalla ato ngjarje historike të viteve të rënies së regjimit totalitar.

Sekretari i Përgjithshëm i Fondacionit “Adenauer” i përcolli Kryeministrit Berisha lajmin e mirë se "Konrad Adenauer" në kuadër të 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit do të hapë një zyrë përfaqësie në Shqipëri.


18/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›