VENDIM PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT
V E N D I M
PËR
PAGAT E PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 88, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, të nenit 5/1, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit të jenë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Paga e bazë mujore për grade (kolona 3, e lidhjes nr.1), është niveli i pagës së punonjësit të Policisë së Shtetit, në përputhje me gradën, që ka fituar.
3. Shtesa për natyrë të veçantë pune dhe shërbimi (kolonat 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12 e 13, të lidhjes nr.1), jepet sipas funksioneve, të përcaktuara në këtë lidhje.
4. Punonjësi i Policisë së Shtetit, për kohën e qëndrimit në gradë, përfiton shtesë për vjetësi në punë, në masën 1 për qind, pas çdo viti pune. Masa e shtesës për vjetërsi në punë të jetë deri në nivelin e pagës bazë, të gradës pasardhëse.
Përllogaritja e shtesës për vjetësi në punë të fillojë në çastin e marrjes së gradës, sipas ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”.
5. Specialistët, përgjegjësit e sektorit apo drejtorët në Policinë e Shtetit, që punojnë në pozicione, që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së Policisë së Shtetit dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, arsimin e lartë, në degët “Inxhinieri Elektronike” apo “Informatikë”, përfitojnë një shtesë, për kushte pune, prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh mbi pagën mujore të gradës përkatëse. Zbatimi i kësaj shtesë për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike dhe të Ministrisë së Financave, sipas përshkrimit të pozicioneve të punës.
6. Vendimi nr.558, datë 16.8.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit”, i ndryshuar, nuk zbatohet për punonjësit e Policisë së Shtetit.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e parashikuara për politikat e pagave, për vitin 2008.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2008.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA