E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E DETYRAVE DHE TË FUNKSIONEVE TË DREJTORISË SË HETIMIT TATIMOR

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E DETYRAVE DHE TË FUNKSIONEVE TË DREJTORISË SË HETIMIT TATIMOR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 105, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave                                  

 

V E N D O S I:

1.     Drejtoria e Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, është përgjegjëse për drejtimin, në mënyrë të unifikuar të strukturave të hetimit tatimor. Drejtoria e Hetimit Tatimor varet nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Operacional dhe përgjigjet para drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve për të gjithë veprimtarinë e strukturave të hetimit tatimor.

2.     Drejtoria e Hetimit Tatimor ka detyrë të:

a.         parandalojë, zbulojë, dokumentojë e ndërpresë veprimtarinë kriminale në fushën e tatimeve dhe të taksave, si dhe të bëjë hetimin paraprak të veprave penale, që parashikohen në nenin 131, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, në nenet 180-182, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Hetimi paraprak kryhet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale;

b.         bëjë rekomandim për drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, për marrjen e masave në mbrojtje të sistemit tatimor nga mashtrimet, evazioni fiskal dhe veprimtaria kriminale;

c.         mbledhë, përpunojë, ruajë, analizojë, shfrytëzojë dhe shpërndajë informacionin për shkeljet e dyshuara, të mundshme ose faktike, në fushën e tatimeve dhe të taksave nga subjektet tatimpaguese. Mbledhja, dokumentimi, ruajtja e shfrytëzimi i informacionit bëhen në përputhje me rregullat e miratuara nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, duke zbatuar rregullat e ruajtjes së sekretit;

ç)   marrë të dhëna nga burime legale ose nga bashkëpunimi i fshehtë me individë. Bashkëpunimi i fshehtë me individë, shtetas shqiptarë apo të huaj, bëhet kurdoherë me marrëveshje, në bazë të vullnetit të lirë, pa shpërblim ose me shpërblim, duke ruajtur, kurdoherë, sekretin e marrëveshjes dhe të informacionit;

d)  bashkëpunojë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, njësinë e pastrimit të parave, Policinë e Shtetit dhe shërbimet e tjera inteligjente, duke shkëmbyer informacione, duke dhënë ose marrë ekspertiza të kualifikuara, në funksion të zbulimit të krimeve në fushën e tatimeve, pastrimit të parave etj. Për këtë ajo cakton punonjës të specializuar, për të bashkërenduar punën me këto institucione.

3.     Punonjës të autorizuar të Drejtorisë së Hetimit Tatimor kanë të drejtë të thërrasin për të pyetur përfaqësues të subjektit tatimpagues, dëshmitarë ose shtetas të tjerë, që kanë dijeni për vepra penale në fushën e tatimeve dhe të taksave. Këta punonjës mund të këqyrin objektet ku ndodhen dokumentet dhe mallrat, që shërbejnë si burim prove për hetim, sipas të gjitha rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale dhe duke hartuar dokumentet e duhura, që parashikon ky Kod.

4.     Punonjësit e njësive të hetimit tatimor për gjurmimin dhe hetimin e veprave penale, fiksimin dhe dokumentimin e provave, përdorin mjete teknike dhe elektronike, të posaçme. Llojet e mjeteve dhe rregullat e përdorimit të tyre përcaktohen nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.

5.     Drejtuesit e strukturave të tjera, brenda sektorit tatimor, bashkëveprojnë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, duke dërguar atje materiale dhe informacione për subjekte të veçanta tatimpaguese, për të cilat dyshohet se mund të kryejnë ose kanë kryer evazion fiskal ose mashtrim tatimor.

6.     Fondi për shpërblimin e burimeve njerëzore me të cilët ka marrëveshje për bashkëpunim të fshehtë, caktohet zë më vete në buxhetin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Rregullat dhe masat e shpërblimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

7.     Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, që deri më 30.5.2009, të nxjerrë aktet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


22/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›