E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9482, DATË 3.4.2006, “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”, TË NDRYSHUAR”

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9482, DATË 3.4.2006, “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9482, DATË 3.4.2006, “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime e shtesa:

Neni 1

Në nenin 1 bëhen këto ndryshime:

1.  Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1.  Legalizimin e ndërtimeve informale dhe të objekteve me leje, me shtesa  informale në ndërtim.".

2. Në pikën 4 togfjalëshi “zonave/ndërtimeve informale” zëvendësohet me “ ndërtimeve informale / objekteve me shtesa informale në ndërtim”.

Neni 2

Pika 3, e nenit 2, shfuqizohet.

Neni 3

Në nenin 3 bëhen këto ndryshime:

1.  Në shkronjën “a” fjalët  “...brenda territorit të përcaktuar si “vendbanim formal”, “zonë informale” ose “territore të tjera”...” shfuqizohen.

2. Shkronja “b”  riformulohet, si më poshtë vijon:

“b) “Zonë me ndërtime të legalizuara", është territori me sipërfaqe mbi 5 ha, i zënë nga ndërtime të legalizuara, që nuk gëzon mbrojtje të veçantë nga aktet, ligjore e nënligjore, në fuqi.”.

3. Shkronja “c”  riformulohet, si më poshtë vijon:

“c) “Vendbanim me ndërtime të legalizuara", është territori me sipërfaqe mbi 5 ha, i miratuar zyrtarisht për zonë të banuar urbane (qytet) ose rurale (fshat), i zënë nga ndërtime të legalizuara.”.

4. Shkronja “ç” shfuqizohet dhe zëvendësohet me:

“ç) “Bllokbanim me ndërtime të legalizuara”, është territori, me sipërfaqe mbi 1 ha deri në 5 ha, brenda ose jashtë vendbanimit formal, i zënë me ndërtime të legalizuara.”.

5.  Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“d) “Kufiri i zonës / vendbanimit / bllokbanimit me ndërtime të legalizuara”, është vija gjeografike e shtrirjes territoriale të ndërtimeve të legalizuara, për të cilin do të miratohet studimi urbanistik, sipas dispozitave në fuqi, nga KRRTRSH-ja dhe/ose KRRT-të përkatëse.”.

6.  Shkronja “e” shfuqizohet.

7. Pas shkronjës “gj” shtohet shkronja “h”, me këtë përmbajtje:

“h) “Kartela e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të legalizuar”, është dokumenti, që hartohet nga ALUIZNI, për regjistrimin fillestar të pasurisë së paluajtshme të legalizuar.”.

8. Në shkronjën “і” fjalët “...bashkërendon punën nëpërmjet organeve qendrore shtetërore dhe njësive të qeverisjes vendore/njësive bashkiake...” shfuqizohen.

Neni 4

Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 4

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të

 Zonave/Ndërtimeve Informale

1. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale  (ALUIZNI) është institucioni përgjegjës për:

a) realizimin e procesit të legalizimit dhe përgatitjen për regjistrim fillestar të ndërtimeve informale, në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë ligj;

b) bashkëpunimin dhe njësimin e procedurave me organet qendrore shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore, për procesin e urbanizimit dhe të integrimit të zonave/vendbanimeve/ bllokbanimeve me ndërtime të legalizuara;

c) programimin e fondeve nga buxheti i shtetit për legalizimin dhe urbanizimin e territoreve informale;

ç) krijimin dhe përpunimin e informacionit hartografik, në shkallë 1:500 – 1:5000, që do të përdoret për procesin e legalizimit dhe të urbanizimit të ndërtimeve informale, si dhe për investime në infrastrukturë, në nivel kombëtar;

d) dhënien e lejes së legalizimit, sipas nenit 28, të këtij ligji.

2.  ALUIZNI, në zbatim të detyrave të vendosura nga ky ligj, kryen:

a) fushatën kombëtare të informimit dhe të sensibilizimit të qytetarëve, në bashkëpunim me mjetet e informimit të gjerë publik, në nivel kombëtar;

b)  verifikimin dhe përditësimin në terren të ndërtimeve informale, si dhe pasqyrimin e tyre në hartën e përftuar nga fotografimi ajror;

c)       përcaktimin e territoreve me ndërtime informale brenda njësive të qeverisjes vendore;

ç) ngritjen e bazës të së dhënave për ndërtimet pa leje dhe ecurinë e legalizimit;

d)       përgatitjen e manualeve të procedurave, udhëzimeve dhe formularëve.

3. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të kësaj agjencie, të drejtorisë qendrore, drejtorive në nivel qarku dhe  zyrave pranë njësive të veçanta të qeverisjes vendore përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.”. 

Neni 5

Shkronja “c”, e nenit 5, shfuqizohet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›