E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, varianti më i mirë për ruajtjen e mjedisit

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u miratua vendimi “për përcaktimin e autoritetit përcaktues  për dhënien me konçension të hidrocentralit “Ashtë””.

Kryeministri Berisha vlerësoi këtë projekt si mjaft serioz dhe të pranueshëm edhe për kërkesat mjedisore. Kryeministri theksoi se në Vaun e Dejës ishte konceptuar ndërtimi i një hidrocentrali tjetër, ai i Bushatit, por që studimet mjedisore dhe i tërë ekosistemit, nuk rekomanduan ndërtimin e tij, për shkak të impaktit në lumin Bunë dhe në të gjithë atë zonë, si dhe në territorin e Malit të Zi.

“Për këtë qëllim është kontraktuar për ndihmë Korporata Financiare Ndërkombëtare. Korporata vet kontraktoi një kompani serioze të studimit të mjedisit dhe, nga ky bashkëpunim, doli varianti plotësisht i pranueshëm për sa u përket shkaqeve mjedisore, pra Hidrocentrali i Ashtës”, u shpreh Kryeministri.

Çështjet e mjedisit, shtoi Kryeministri, janë kryesore dhe ne vlerësojmë punën e bërë nga konsulenti dhe kompania që ka realizuar studimin e mjedisit.  

Me këtë vendim i hapet rrugë tenderit për këtë hidrocentral, i cili është më i garantuari në Shqipëri në kapacitetin e tij.  Ky hidrocentral është menduar të ndërtohet në kuadër të Partneritetit Publik Privat, si një proces shumë i domosdoshëm.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›