VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE (OBJEKTE), QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR MILOT-RRËSHEN
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE (OBJEKTE), QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR MILOT-RRËSHEN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “ Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9636, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private (objekte), që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Milot-Rrëshen.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme (objekte), që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për objektet, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 4 857 712 (katër milionë e tetëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e dymbëdhjetë) lekë.
4. Ky fond të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 144 000 (njëqind e dyzet e katër mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
6. Shpronësimi të fillojë më 20.3.2009 dhe të përfundojë më 20.6.2009.
7. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë likuidimin e pronarëve brenda afateve, të përcaktuara në pikën 6, të këtij vendimi.
8. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
18/03/2009