VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR LEVAN-TEPELENË
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR LEVAN-TEPELENË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Levan-Tepelenë.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 401 780 (katërqind e një mijë e shtatëqind e tetëdhjetë) m2, tokë arë, me vlerë 195 339 652 (njëqind e nëntëdhjetë e pesë milionë e treqind e tridhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e dy) lekë, për sipërfaqen 2 397 (dy mijë e treqind e nëntëdhjetë e shtatë) m2, tokë truall, me vlerë 1 260 577 (një milion e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë, për sipërfaqen 2 665 (dy mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e pesë) m2, kullotë, me vlerë 338 016 (treqind e tridhjetë e tetë mijë e gjashtëmbëdhjetë) lekë, objekte, me vlerë 55 838 369 (pesëdhjetë e pesë milionë e tetëqind e tridhjetë e tetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 252 776 614 (dyqind e pesëdhjetë e dy milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e katërmbëdhjetë) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 3 482 500 (tre milionë e katërqind e tetëdhjetë e dy mijë e pesëqind) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 252 776 614 (dyqind e pesëdhjetë e dy milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e katërmbëdhjetë) lekë, të përballohet nga zëri “Shpronësime”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
6. Shpronësimi të fillojë më 30.12.2008 dhe të përfundojë më 30.3.2009.
7. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim ZRPP”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
8. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim ZRPP”, (detyrim ndaj të tretëve), të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë përmbushur detyrimet ligjore.
9. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim ZRPP”, në bazë të të dhënave të marra nga regjistri hipotekor, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë përfunduar procedurat e regjistrimit të objektit të shpronësuar dhe pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Pronarët e objekteve do të likuidohen pasi të kenë paraqitur edhe dokumentacionin tekniko-ligjor për këto objekte.
10. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë likuidimin e pronarëve, në bazë të dokumentacionit të pronësisë dhe dokumentacionit tekniko-ligjor, brenda afateve të përcaktuara në pikën 6, të vendimit.
11.Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA24/12/2008