VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I RRUGËS KOMBËTARE, NË SAUK
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I RRUGËS KOMBËTARE, NË SAUK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i rrugës kombëtare, në Sauk.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 765 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e pesë) m2, tokë/arë, me vlerë 274 867 (dyqind e shtatëdhjetë e katër mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë) lekë, dhe për sipërfaqen 280 (dyqind e tetëdhjetë) m2, tokë/truall, me vlerë 702 960 (shtatëqind e dy mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 977 827 (nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e njëzet e shtatë) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 410 000 (katërqind e dhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 977 827 (nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e njëzet e shtatë) lekë, të përballohet nga “Llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave, pranë Bankës së Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
6. Shpronësimi të fillojë më 30.7.2009 dhe të përfundojë më 30.10.2009.
7. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
8. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë likuidimin e pronarëve brenda afateve të përcaktuara në pikën 6, të këtij vendimi, dhe në bazë të dokumentacionit të pronësisë.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
29/07/2009