VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I SEGMENTIT RRUGOR FUSHË-KRUJË – MILOT
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I SEGMENTIT RRUGOR FUSHË-KRUJË – MILOT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i segmentit rrugor Fushë-Krujë – Milot.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën, që i bashk¸lidhet k¸tij vendimi, për sipërfaqen 254 116 (dyqind e pesëdhjetë e katër mijë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë) m2, tokë/arë, me vlerë 87 576 435 (tetëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e tridhjetë e pesë) lekë, sipërfaqen 15 112 (pesëmbëdhjetë mijë e njëqind e dymbëdhjetë) m2, tokë/truall, me vlerë 10 647 900 (dhjetë milionë e gjashtëqind e dyzet e shtatë mijë e nëntëqind) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 98 224 335 (nëntëdhjetë e tetë milionë e dyqind e njëzet e katër mijë e treqind e tridhjetë e pesë) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 2 405 910 (dy milionë e katërqind e pesë mijë e nëntëqind e dhjetë) lekë të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 98 224 335 (nëntëdhjetë e tetë milionë e dyqind e njëzet e katër mijë e treqind e tridhjetë e pesë) lekë, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
6. Për pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “Kufizim pronësie” (proces gjyqësor) dhe “Konflikt gjyqësor”, kompensimi për efekt shpronësimi të bëhet pasi të jetë marrë vendimi, i formës së prerë, nga gjykata dhe pasi të jenë bërë regjistrimet në zyrën përkatëse të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
7. Për pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “Urdhër kufizimi”, kompensimi për efekt shpronësimi të bëhet pasi të ketë përfunduar procesi i saktësimit, nga zyra përkatëse e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe pas konfirmimit, që do të merret nga kjo zyrë.
8. Për pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “Proces regjistrimi”, kompensimi për efekt shpronësimi të bëhet pasi të ketë përfunduar ky proces dhe pasi të jetë marrë konfirmimi nga zyra përkatëse e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
9. Pronarët e përfshirë në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim nga ZRPP”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
10. Shpronësimi të fillojë më 30.9.2009 dhe të përfundojë më 30.12.2009.
11. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë likuidimin e pronarëve të pasurive, për të cilat janë bërë shënimet përkatëse, “Konflikt pronësie (proces gjyqësor)”, “Konflikt gjyqësor”, “Urdhër kufizimi” dhe “Proces regjistrimi”, në bazë të pikave 6, 7 e 8, të këtij vendimi, dhe dokumentacionit të pronësisë, ndërsa për pronarët e konfirmuar likuidimi të bëhet në bazë të dokumentacionit të pronësisë.
12. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
18/09/2009