E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ Emergjencat civile të Bashkisë Fier në gatishmëri, edhe pse niveli i Vjosës ka filluar të bjerë

Qendra operacionale e emergjencave civile të Bashkisë Fier vijon të jetë në gatishmëri të plotë, edhe pse rreziku, siç theksohet, mund të konsiderohet i kaluar.

Në një prononcim për mediat, kreu i bashkisë, Armando Subashi, u shpreh se sipas të dhënave të hidromatësit në Memaliaj, niveli i ujërave të Vjosës ka filluar të bjerë ndjeshëm.

Sipas tij, maksimumi i prurjeve është regjistruar rreth orës 14:30, në nivelin 7, çka do të thotë se ky nivel pritet të mbërrijë rreth orës 19:00–20:00 në fshatrat fundorë të njësive Levan dhe Novoselë.

Megjithatë, duke u bazuar në përvojën e viteve të kaluara, Subashi nënvizon se ky nivel prurjesh nuk përbën rrezik për daljen e lumit Vjosa nga shtrati.

Lajm i mirë është se në zonën Tepelenë–Memaliaj niveli i ujërave ka nisur të bjerë, dhe krahasuar me mesditën, rënia është rreth 70–80 centimetra. Kjo, sipas Subashit, tregon se rreziku ka kaluar dhe orët e natës pritet të jenë të qeta e pa probleme.

Ai shtoi se situata do të vijojë të monitorohet nga afër dhe se mjetet e emergjencës, së bashku me forcat në terren, do të qëndrojnë në gatishmëri edhe për disa orë, për çdo eventualitet të mundshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›