E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

VIDEO/ Shfrytëzonte të mitur dhe hapësirat publike për përfitime financiare, Policia e Durrësit prangos një 37- vjeçar

Hapësirat publike shpesh janë bërë objekt shfrytëzimi nga individë për të përfituar para në mënyrë të paligjshme.

Një rast i tillë është faktuar edhe në Durrës, ku pas kontrolleve dhe verifikimeve për të goditur rastet e shfrytëzimit të shtetasve të mitur, për punë të papërshtatshme me moshën e tyre, si dhe përvetësimit të pagesave të qytetarëve që parkonin automjetet në një hapësirë publike që ishte e destinuar nga bashkia, si vendparkim pa pagesë, është arrestuar një 37-vjeçar.

Ky shtetas, sipas policisë, shfrytëzonte 2 adoleshtë, si punëtorë në këtë biznes.

“Si rezultat i kontrolleve të përditshme që specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës kryejnë në subjekte të ndryshme ekonomike, për të kontrolluar nëse kanë të punësuar shtetas të mitur, në kundërshtim me specifikat e ligjit për këtë veprimtari, si dhe për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtyre aktiviteteve, është konstatuar dhe goditur një tjetër rast i paligjshmërive në të dyja këto fusha.

Për këtë rast, është vënë në pranga shtetasi E. K., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi iu merrte para (300-500 lekë) qytetarëve, për të parkuar automjetet në një hapësirë, në lagjen nr. 1, hapësirë e cila ishte e destinuar nga bashkia e Durrësit, si vendparkim pa pagesë. Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se 37-vjeçari shfrytëzonte si punëtorë në këtë biznes, dy shtetas 16 dhe 17 vjeç.”- njofton policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›