E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjirokastër, trafikonin emigrantë kundrejt pagesës 500 euro, prangosen 2 persona, një tjetër shpallet në kërkim

Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga 2 persona, një nga Tirana dhe një tjetër nga Kruja, dhe ka ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi po transportonin emigrant të paligjshëm.

Dy personat e prangosur shoqëronin mjetin me të cilin po kryhej transporti, ndërsa personi i shpallur në kërkim, pasi ka pikasur policinë, është larguar.    

Sipas policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme Operacionale dhe me ata të Sektorit të Policisë Rrugore, kanë vijuar hetimet e thelluara, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në një rast të transportimit të emigrantëve, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin.

“Për këtë rast të goditur nga Policia e Gjirokastrës, më datë 23.07.2023, në kuadër të operacionit policor të koduar “Road Guard 69”, u vunë në pranga shtetasit A. B., 26 vjeç, banues në Krujë dhe A. K., 23 vjeçe, banuese në Tiranë.

Nga veprimet hetimore rezulton se të dy këta shtetas monitoronin duke lëvizur me automjet, aksin rrugor “Ura e Dragotit – Ura e Leklit”, përmes të cilit shtetasi G. M., 25 vjeç (i shpallur në kërkim gjatë operacionit) transportonte me një automjet tjetër, kundrejt shumës 500 euro/person, 8 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së.”- thuhet në njoftimin për shtyp.

 Sipas policisë, monitorimi i rrugës kryhej nga 2 të arrestuarit, për të shmangur prezencën e patrullave të Policisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›