VIZION PLUS, Bypass zbulon incidentet e hyrjes tonë në NATO
Hyrja në NATO ishte padyshim ngjarja më e rëndësishme për javën që lamë pas. Natyrshëm që një eveniment i tillë nuk kishte se si të mos gjente pasqyrim në hapësirën e Bypassit… Redaksia e Bypassit ka arritur të zbulojë se të gjitha “incidentet”, që u ndodhën personaliteteve të huaja dhe vendase ishin të parathëna. Nostradamusi i kishte parashikuar shumë e shumë kohë më parë se dokumenti origjinali i protokollit të anëtarësimit do kishte përfunduar në dorë të presidentit shqiptar, kryeministri ynë për arsye personale nuk do të paraqitej në një darkë pune, shefi i sapozgjedhur i NATO-s do të thyente krahun në Turqi etj. Përmes një sondazhi të kryer në popull, emisioni “Bypass” i ka dhënë edhe përgjigje pyetjes që na ka munduar të gjithëve në këto 1000 vite të fundit: Kush e futi Shqipërinë në NATO? Hë kush thoni ju? Mos u mundoni, por shikoni Bypassin. Sipas një zbulimi të kryer nga emisioni Bypass, kryetari i bashkisë së Tiranës, nga inati që nuk e kishin ftuar në ceremoninë e NATO-s, ka vendosur regjim vizash për të gjithë ata që hyjnë ditën në kryeqytet. Bypassi do tu sjellë reagimet e banorëve, qeverisë dhe vetë kreut të bashkisë pas këtij vendimi. Zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë më të rëndësishmet dhe një provë e vërtetë për Shqipërinë. Për këtë arsye janë ftuar të votojnë të gjithë shqiptarët, madje edhe ata që për shkak të lënies së shtetësisë ose të jetës kanë humbur të drejtën për votën. Bypassi ka kryer edhe një sondazh, nga ku 237.63% e njerëzve janë të mendimit se në listat e zgjedhësve duhet të jenë të gjithë personalitet e shquara të historisë së kombit tonë, duke filluar që nga Ismail Qemali e më tej… Në atmosferën e zgjedhjeve Bypassi ka zbuluar se fatet e qeverisjes së ardhshme nuk do t’i përcaktojë LSI-ja, por një parti e re e sapokrijuar… Përfaqësuesi i kësaj partie të re do tu rrëfejë ekskluzivisht për Bypassin edhe aleancat e mundshme para dhe pas zgjedhore. Një tjetër problem ende i pazgjidhur mbetet edhe ai i kartave të identitetit. Bypassi do tu tregojë se çfarë duhet të bëni për të përftuar karta falas… Jo vetëm kaq, por emisioni i përjavshëm satiriko-informativ, ka ndërmend tu rrëfejë edhe plot sekrete të tjera, natyrisht në stilin e tij. Nëse doni të informoheni ndryshe, por ama shumë, shumë më ndryshe, atëherë vihuni përpara ekranit dhe ndiqni të dielën mbrëma në valët e Vizion Plus, emisionin e përjavshëm keqinformativ “Bypass Show” me ironinë dhe humorin e hollë të Agim Bajkos.
13 Prill 2009