SHBA-Rusi, dakord të zëvendësojnë Traktatin Start-1
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet për të zëvendësuar Traktatin për Pakësimin e Armëve Strategjike të njohur si START-1, që skadon në dhjetor. Vendimi për bisedime për zëvendësimin e Traktatit START-1 u arrit gjatë takimit të Londrës në fillim të muajit, mes presidentit Barak Obama dhe homologut të tij rus, Dimitri Medvedev, i pari takim ballë për ballë mes dy udhëheqësve. Pak ditë më vonë, gjatë në fjalimi në Pragë, zoti Obama tha se administrata e tij do të hedhë hapa konkretë drejt një bote pa armë bërthamore. “Për të pakësuar mbushjet bërthamore dhe stoqet e armëve bërthamore, ne do të negociojmë një traktat të ri për pakësimin e armëve strategjike me rusët këtë vit. Presidenti Medvedev dhe unë e filluam këtë proces në Londër dhe do të kërkojmë një marrëveshje të re nga fundi i këtij viti që do të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe tepër e guximshme. Dhe kjo do të hapë rrugën për shkurtime të mëtejshme dhe ne kërkojmë të përfshijmë të gjitha shtetet me armë bërthamore në këtë nismë”, - tha presidenti Obama. Marrëveshja START-1 u negociua në vitin 1980 dhe u nënshkrua nga presidenti amerikan Xhorxh Herbert Uolker Bush dhe presidenti sovjetik Mikhail Gorbaçov në vitin 1991 dhe që hyri në fuqi në vitin 1994.
13 Prill 2009