E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biserko: ”Prokuroria serbe po manipulon, Del Ponte, pa prova”



Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, reagon ndaj supozimeve për rrëmbimin, keqtrajtimin, nxjerrjen e organeve dhe vrasjen e serbëve dhe të joshqiptarëve në kohën e luftës së Kosovë. Në një prononcim Biserko i cilëson si të papërgjegjshme dhe pohime të cilat mund të keqësojnë raportet. Biserko shprehet se Karla del Ponte i bëri publike këto akuza pa paraqitur asnjë provë. “Mendoj se Karla del Ponte, në mënyrë shumë të papërgjegjshme, i ka bërë publike këto supozime, pa paraqitur kurrfarë dëshmish. Në një atmosferë të ndezur, siç kemi ne në rajon, këto pohime vetëm sa mund t’i keqësojnë raportet”, - tha Biserko. Ajo vazhdon më tej duke kritikuar Prokurorinë serbe për fushatën që ka nisur, të informimit të opinionit mbi hetimet, një veprim i cili ka një qëllim tjetër, dhe jo sqarimin e fatit të njerëzve të zhdukur.
“Prokuroria serbe ka nisur një fushatë ku çdo ditë informon opinionin për hetimet që po kryhen, gjë që është në kundërshtim me parimet e punës së Prokurorisë. Kjo fushatë është e keqe, sepse nëse ekzistojnë dëshmi për të filluar procesi, mënyra e prezantimit të këtyre të dhënave ka një qëllim tjetër, dhe jo sqarimin e fatit të njerëzve të zhdukur, që për familjet e tyre është një tragjedi e madhe”, - tha Biserko.

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›