E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: “UNMIK-u të largohet. Jemi shtet i pavarur”



Presidenti kosovar tha se së shpejti mendon të takojë shefin e misionit, Lamberto Zanieri
“Zanieri nuk është armiku i Kosovës, ai është përfaqësues i një misioni në mbyllje”
Blerina Olldashi
Kosova është shtet i pavarur dhe misioni i OKB-së, UNMIK-u, nuk mund të vazhdojë ta përfaqësojë këtë shtet. Kështu vlerësoi dje Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili i bëri thirrje UNMIK-ut të përmbyllë prezencën në terren dhe të largohet. Kreu i shtetit është shprehur për mediat kosovare se nuk ngurron që në ditët e ardhshme të takojë shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zanier, për të shfaqur të njëjtin qëndrim edhe para tij. Sipas tij, është shumë e qartë se mendimin për largimin e misionit nga territori i Kosovës e ka i gjithë populli, i cili beson në shtetin dhe ligjet e tij. Presidenti Sejdiu përsëriti mendimin se UNMIK-u nuk përfaqëson Kosovën. “Unë mund ta takoj, nuk ka asnjë problem që ta takoj shefin Lamberti Zanieri. E kam takuar edhe më herët, por do t’ia bëj të qartë këtë qëndrim sepse nuk bëhet fjalë për një çështje të zakonshme, dhe ky qëndrim është shumë i qartë: UNMIK-u duhet të përmbyllë misionin e vet, UNMIK-u nuk përfaqëson Kosovën”, - ka deklaruar Sejdiu. Sipas tij, institucionet kosovare janë të vetëdijshme për arsyen e prezantimit të kërkesës për fundin e mandatit të UNMIK-ut, meqë roli i këtij misioni është tejkaluar nga zhvillimet në terren. “Gjithmonë e kemi thënë se nuk e kemi armik, as Zanieri nuk është armiku i Kosovës, por është një përfaqësues i një misioni në mbyllje”,- është shprehur ai.
Presidenti Sejdiu përsëriti pohimet se UNMIK-u ka bërë punë të mira, por ka rikujtuar se Kosova tashmë është shtet sovran i njohur nga 57 vende të botës dhe pret njohje të reja. Lideri i Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli, bëri të ditur se është njoftuar që Unioni i Komoreve ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe njohja pritet t’i konfirmohet edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. “Republika e Komores praktikisht ka marrë vendim që të njohë pavarësinë e Kosovës”,- është shprehur Pacolli, i cili shtoi se njohja është rezultat direkt i punës së tij me autoritet e atjeshme. “Ky është rezultat i vizitës sime në Ligën Arabe dhe gjatë qëndrimit në Doha”,- tha Pacolli. Unioni i Komoreve ndodhet në brigjet lindore të Afrikës në Oqeanin Indian, është 1862 km katrorë dhe ka 800 mijë banorë.

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›