E Shtunë, 31 Tetor 2026

PARA MBYLLJES SË ZYRËS



Sazan GOLIKU
PARA MBYLLJES SË ZYRËS
Pasi u ngjit me këmbë në katin e pestë të pallatit EDEN dhe u rrotullua në tri mesore, dramaturgu Ar. Mi. qëndroi para zyrës me numër 99. Iu duk për një grimë se syzet iu veshën me mjellnajzë. U gëlltit, trokiti dhe hyri. Menazheri WW ngriti kokën nga ca shkresa dhe e pa. Më tepër se habi, pikëpyetja e syve të tij thoshte: "Ç'dreqin do!?"
- Kam ardhur... se... në shumën e dollarëve sipas...
- Më duket se jemi likuiduar bashkë, - ia preu me një ironi të thatë WW.
- Më detyroheni dhe dhjetë dollarë, - ia ktheu me zë të akullt dramaturgu.
“Ebre i qelbur”, tha me vete WW. – Doni nga unë dhjetë dollarë?
Syzet e dramaturgut sikur u veshën sërish me mjellnajzë.
- Dua dollarët e mi. - Toni i zërit tash kishte brenda një kërcënim të rrezikshëm.
WW mblodhi buzët, nxori nga sirtari dy kartëmonedha dhjetë dollarësh dhe i hodhi mbi tryezë me një shprehje që nuk ishte larg neverisë.
Dramaturgu mori njërën kartëmonedhë dhe, pa ia hequr sytë WW-së, e grisi në dy, katër, tetë pjesë dhe, pa i lëvizur po ashtu asnjë rrudhë në fytyrë, ia flaku në turi.
- Këtë, - i tha duke i treguar kartëmonedhën tjetër, - fute në prapanicë. - Dhe doli pa e përplasur derën.
Menaxherit WW i mbetën sytë të ngrirë në një pikë. Pas disa minutash u përmend dhe tha me zë: - Do ta hedh në gjyq për shpërdorim paraje dhe fyerje. – Dhe mori frymë thellë i lehtësuar e i kënaqur me veten, edhe pse e dinte mirë se denoncimi nuk kishte për t'u pranuar.

BALADA E VAJZËS
Me bërrylat mbi parmakun e dritares, ajo po dëgjonte këngën e Xhim Hendriksit që vinte nga cepi i odës ku ishte kompjuteri:
"Ku shkoi dashuria që patëm të dy?
Mbështetet në portë dhe nis e qan.
Dhe lotët që ranë, barin e thanë.
Dhe kështjella prej rëre ra në det e tëra."
Sytë e vajzës ishin veshur nga lotët. Ajo nuk e shihte botën poshtë saj në udhën e gjerë se si tërbohej plot epsh në përditëshmërinë e vet drejt fitimit, dëshirave pa kufi, ëndrrave të paarritshme... Herë-herë, ngashërehej e dridhej e tëra. "Ç'të bëj? - pyeti veten. - Tash jam krejt e zbrazët…Të vdes? Kjo është gjëja më e rëndomtë që kanë bërë para meje mijëra vajza. Në jetë dhe romane. Të hakmerrem ndaj tij, duke u bërë lavire? S'do ta bëja dot. Ta vras? Po ai është aq i mirë. Ç'faj ka ai që s'më do?! Ta harroj sikur s'e kam njohur kurrë, po ja që s'e harroj dot!
Atëherë ajo iu drejtua Zotit: - O Perëndi! Bëj që ta harroj këtë dashuri dhe të më lehtësohet shpirti!
Po Zoti, nuk dihet pse, nuk e dëgjoi.
Dhe vajza e dëshpëruar, më tepër se e zemëruar, iu drejtua Satanait:
- Atëherë më ndihmo ti, të harroj gjithçka, ti që shkatërron gjithçka!
Dhe Satanai iu përgjegj: - Prit, prit, mos u ngut se do të të ndih.
Dhe vajza priti e priti, u thinj e u rrudh, u kërrus e u mpak, harroi gjithçka dhe harroi të vdiste.

PËRBINDËSHI I RI
Sa doli nga barku i nënës, ai nuk qau; u shpëtoi duarve të gjakosura të mamive dhe klithi:
- Ju po vrisni veten!
Dhe ashtu lakuriq, mori vrapin...
Fluturoi mbi tymtarët dhe u mbylli grykat; mizërinë e automobilëve e veturave i ngriu në vend; gjeti të atin duke prerë me motosharrë lisin e fundit të pyllit dhe i preu kokën; puset e naftës i ktheu në puse uji; mblodhi udhëheqësit e botës, të mirë e të liq, dhe i burgosi në Hënë.
U rikthye epoka e akullnajave me një pamje tjetër: akujt ishin të zinj. Përbindëshi i porsalindur kishte ngrirë mes tyre.
... Pas dy mijë vjetësh ai mbiu mes dy maleve si fije bari.

MBETURINAT
Menxa plot. Pastruesja del në krye me një zë të trashë prej duhanpirëseje:
- Në qoftë se nuk jeni kafshë (dhe e përsëriti tri herë), atëherë mos hidhni përtokë mbeturinat, as këtu, as nga dritaret e ballkonet, as në lulishte. Në shtëpitë tona nuk gjen në dysheme as një fije shkrepseje, pa le bisht cigareje! Kjo është shtëpia jonë e përbashkët për këto ditë e muaj që jemi këtu. Pra, të sillemi si njerëz, por do ta bëjmë këtë, në qoftë se nuk jemi kafshë.
Të nesërmen nisën të hedhin përtokë mbeturina edhe ata, që nuk kishin hedhur kurrë më parë dhe bërlloku e qentë u dyfishuan në mjediset e institucionit rehabilitues shëndetësor.

KRONIKË
Viti XY. Shqipëria u sulmua njëkohësisht nga veriu, jugu, lindja e perëndimi. Ushtarët e huaj ishin shqiptarë me uniforma ushtarake të shteteve të huaja. Marrshonin... por nuk po gjenin qëndresë, veç disa policëve të dhjamosur që u kërkuan ca para për ndonjë gotë birrë.
Ushtarët sodisnin përpara, djathtas, majtas e prapa dhe nuk dinin ç'të mendonin. Këto vende, që po shkelnin, u dukeshin si të njohura... sikur i kishin parë në ëndërr... sikur dikush, shumë kohë më parë, u kishte folë për to.
Ushtari VL u ul të lidhte këpucën e djathtë. Syri i zuri një lule manushaqe, që nisi të lotojë.
- Kot po i lidh, - i foli Manushaqja. - Nuk ke ku shkon. Këtu ke për të mbetur e tretur bashkë me shokët e tu. Ti, o i shkretë, nuk e di, po kjo baltë që po shkel kaq lehtë, do të të hajë, dhe po nga kjo baltë do të krijohen e ringjallen të parët e tu.
Pa e kuptuar, ushtari LV u fundos e u fundos, derisa u përthith i tëri nga balta.
Manushaqja nuk reshtte së derdhuri lot, u rrudh e u rrudh, u tha dhe e shpërndau era.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›