E Shtunë, 31 Tetor 2026

VMRO-DPMNE kundër gjuhës shqipe në Strugë

Nga Express më 21 mars 2011 në ora 12:14

Partnerët e koalicionit qeverisës në Maqedoni, BDI dhe VMRO-DPMNE, kanë filluar konfrontimet edhe në nivel lokal.

Partia e kryeministrit Nikola Gruevski nuk lejon që gjuha shqipe të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Strugë.

Këshilltarët e saj po bllokojnë miratimin e Statutit të Komunës, e cila që prej vitit 2006 funksionon pa këtë dokument zyrtar.

Kontestues është Neni 7. Blloku i partive politike shqiptare kërkon që në të thuhet se krahas gjuhës zyrtare maqedonase, në Strugë të përcaktohet edhe shqipja si gjuhë zyrtare.

Por, VMRO-DPMNE kërkon që të rishqyrtohet amendamenti 5 i Kushtetutës së Maqedonisë për përdorimin e gjuhëve, në të cilin thuhet se gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe gjuha të cilën e përdorin nacionalitetet, të cilët janë mbi 20 për qind nëpër komuna.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Komunës së Strugës, në të cilën kaloi projekt-versioni i statutit, këshilltarët maqedonas e braktisën mbledhjen në mënyrë demonstrative.

"Shqiptarët në Strugë tani janë më shumë se 50 për qind dhe ky është një realitet në këtë qytet. Ne kërkojmë që të identifikohemi këtu si shumicë", thekson Ramiz Merko, kryetar i Strugës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›