E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfirmohen 8600 të vdekur në Japoni

Nga Express më 21 mars 2011 në ora 12:51

Agjencia Kombëtare e Policisë në Japoni theksoi se ka shqetësime se numri i të vdekurve nga tërmeti dhe cunami mund ta kalojë shifrën prej 18 mijë njerëzve.

Policia tha se aktualisht, është konfirmuar se nga tërmeti dhe cunami, kanë humbur jetën 8600 persona, ndërsa 12.800 të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Njëherësh, inxhinierët kanë vazhduar të punojnë në evitimin e shkatërrimit atomik në centralin Fukushima, në pjesën verilindore të Japonisë, ku reaktorët e tejnxehur kanë shkaktuar rrjedhje të rrezatimit dhe kanë nxitur shqetësime për helmimin e ushqimit dhe të ujit.

Banka Botërore tha se rindërtimi në Japoni, pas tërmetit katastrofal, cunamit dhe krizës bërthamore, mund të kushtoj më tepër se 235 miliardë dollarë dhe se për rindërtim do të duhet një periudhë prej pesë viteve.

Në raportin e publikuar, Banka Botërore tha se shkatërrimet, që ndodhën më 11 mars, kanë shkaktuar dëme “të paprecedente” në ndërtimtari dhe infrastrukturë.

Më pastaj theksohet se rritja ekonomike me gjasë do të ulet në gjysmën e parë të këtij viti, por rritja do të shtohet derisa rikonstruktimi të përshpejtohet në tremujorët pasues.

Në anën tjetër, zjarrfikësit dhe ushtarët që punonin për ftohjen artificiale të reaktorëve, janë evakuuar nga qendra atomike Fukushima, për shkak të rritjes së sasisë së avullit që po lirohet nga reaktorët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›