Firmoset kontrata për rrugën Shkodër-Hani i Hotit
Fabiola Çela
Është firmosur dje kontrata për ndërti-min e aksit rrugor Shkodër-Hani i Hot-it. Punimet për ndë-rtimin e kësaj rruge janë parashikuar të nisin shumë shpejt. Ndërtimi i këtij aksi rrugor do të përfundojë brenda 20 muajve nga momenti i nisjes së punimeve. Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës mes qeverisë shqiptare dhe Kooperacionit italian ishin të pranishëm kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia si dhe përfaqësuesi i firmës italiane Claudio Salini.
Kontrata
Kreu i MPPTT-së, Olldashi, theksoi se me ndërtimin e segmentit rrugor Shkodër-Hani i Hotit përfundon dhe lidhja e segmentit të fundit midis një qyteti të rëndësishëm si Shkodra dhe një pike kufitare, kur tashmë rrugët e tjera drejt pikave doganore në vend janë të gjitha të rikonstruktuara. Duke e konsideruar këtë si një projekt mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e Shkodrës, ministri Olldashi deklaroi se, “ky segment rrugor i jep të gjitha dimensionet korridorit Veri-Jug, që nis në Shkodër dhe përfundon në Vlorë”. Ambasadori italian, Saba D’Elia, theksoi se Kooperacioni Italian në Shqipëri është i pranishëm në një sërë projektesh, ku nënvizoi dhe investimin në autostradën Lushnjë-Fier, tashmë të përfunduar. Në të njëjtën kohë, duke e konsideruar ndërtimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit si mjaft të rëndësishme për zhvillimin e veriut të vendit, D’Elia u shpreh se kompanitë italiane janë angazhuar për ndërtimin me cilësi të lartë dhe me standarde evropiane të kësaj rruge. Konkretisht kjo ndërhyrje është pjesë e programit për forcimin e rrugës ekzistuese, të realizuar me një komponent grant të Kooperacionit për Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane, me vlerë 150.000 euro dhe me një komponent kredie të butë me vlerë 21.700.000 euro. Pjesa e kredisë kontribuon për mbulimin e kostos së projektit, realizimin dhe drejtimin e punimeve në brendësi të aksit rrugor që lidh rrugën Shkodër-Hani i Hotit me kufirin me Malin e Zi. Në mënyrë të detajuar janë parashikuar 3 kategori ndërhyrjesh: në qytetin e Shkodrës do të realizohet një rreth-qarkullim, që do të mundësojë kalimin e mjeteve të rënda të transportit si dhe një korsi për biçikletat, por edhe hapësira të veçanta për parkimin e automjeteve; në zonën ndërurbane do të zgjerohet rruga ekzistuese; në qytetin e Koplikut si dhe në Ivanaj e Bajzë do të bëhet një rikualifikim urban, si dhe i rrugëve ekzistuese funksionale, me anë të rrjetit hidrik dhe të ujërave të zeza si dhe punime për drenazhimin. Shoqëria e ngarkuar për realizimin e punimeve është shoqëria italiane ATI Claudio Salini S.p.a. & Salvatore Matarrese S.p.a. që do të nënshkruajnë kontratën me MPPTT-në me një vlerë prej 25.329.730 euro.