E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: Fushë Kosova më probleme te njëjta

Në komunën e Fushë Kosovës sikur nuk ka lëvizur koha. Lista e problemeve që e munduan qytetarin këtë vit, thuajse është e njëjtë me listën e vitit të kaluar, aq më keq është identike me atë listë premtimesh për zgjidhjen e problemeve që bëri Burim Berisha gjatë kohës së zgjedhjeve në 2009.

Këto konstatime kanë dalë sot nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Fushë Kosovë, ku mbajti një aktivitet për shpërfaqjen e ngecjeve dhe problemeve komunale që i përcollën qytetaret e komunës gjatë vitit 2012.

Sipas, VV, edhe më tutje kjo qeverisje komunale po neglizhon problematikat reale dhe po iu kryen shërbime klienteliste të njohurve apo të pushtetshmëve të komunës, duke i piketuar lagjet e tyre kur shtrojnë rrugët apo shërbimet tjera aq të nevojshme për shumë lokacione.

“Ky menaxhment komunal ka filluar të dalë dhe kundër vetes, e planeve që vetë i miraton, siç po ndodhë me planin urbanistik; ndërtimet jashtëurbanistike dhe jashtë çdo standarti qoftë dhe në aparencë që po ia zënë frymën qytetit”, vlerëson VV.

Se nuk ka ndryshuar koha qysh nga viti i premtimeve zgjedhore, sipas VV tregon fenomeni i ujit.”Për qytetarët e qytetit të Fushë-Kosovës, si dhe për shumë fshatra ende edhe këtë vit, por edhe në vitin që po hyjmë do të mbetet problem i madh furnizimi me ujë të pijshëm, e që ishte premtim që në vitin 2010 do të bëjë komunën me 24 orë ujë, ndërsa uji vazhdon të mbetet produkti më i kërkuar ende”.

Vetëvendosje vlerëson se gjatë këtij viti ka pasur degradim të lumenjve, infrastrukturë rrugore e pa sanuar, etj. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›