VV: Fushë Kosovë - Komuna e luksit

Lëvizja Vetëvendosje në Fushë Kosovë vlerëson se udhëheqësit e kësaj komune po e shpërdorin paranë publike, dhe se investimet janë të pa planifikuara si duhet dhe pa kurrfarë kriteri mbikëqyrës. "Për pasojë, ato investime bëhen të pa dobishme, për shkak se në pjesën dërmuese të rasteve projektet ose janë të cilësisë së dobët, dhe ende pa përfunduar fillojnë të rrënohen, ose janë të planifikuara keq e ku vërehet nepotizmi, siç është rasti i dhënies së lopëve dhe pulave", thuhet në një komunikatë të kësaj lëvizjeje, duke thënë se nga kjo dukuri, më së shumti pësojnë qytetarët, të cilët i vuajnë pasojat e kësaj keqqeverisjeje.
VV më tej thotë se udhëheqësit e kësaj Komune është e pamundur të ndahen nga luksi. Vetëvendosje thotë se Komuna e Fushë Kosovës ka vetëm gjatë vitit 2012 ka shpenzuar 126.749 euro për karburante, 46.913 euro për mirëmbajtje të makinave, 48.415 euro për mëditje dhe akomodim, 17.307 euro për telefon (66.5 euro në ditë pune), dhe 46.182 euro për dreka zyrtare. apo në total 285.566 euro, apo që i bie 1098 euro në ditë pune.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë vlerëson se kjo udhëheqësi e Komunës po vazhdon ta shtojë luksin e vet, duke e rënduar edhe më shumë jetën e taksapaguesve të kësaj komunë, të cilëve ju mungojnë kushtet elementare për jetë, si uji i pijshëm. Prandaj, VV thotë se kësaj qeverisjeje duhet t’i vijë fundi sa më shpejtë, në mënyrë që qytetarëve të Fushë Kosovës t’iu lehtësohet e përmirësohet jeta në këtë komunë./Indeksonline/