VV Kamishit: Nuk i frikësohemi spiunëve

Selimi, në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka ngritur çështjen e akuzave të cilat janë drejtuar ndaj liderit të Vetëvendosje nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Selimi ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe SHIK-u kanë nxjerr sërish agjent në skenë për të bërë shantazhe. Për këtë, ai ka kërkuar nga ekzekutivi i vendit që të ndaloj këto shantazhe dhe të mos krijojnë mjegull për të shmangur vëmendje nga çështjet me rëndësi.
“Kemi një mesazh për Qeverinë dhe SHIK-un. Mjaft me këto shantazhe dhe presione ndaj opinionit! Nëse mendoni se mund t’i bëni dikujt presione e shantazhe e keni gabim. Nëse doni t’i frikësoni tjerët prapë e keni gabim. Tashmë është tepër vonë për ju. Kush ua jep juve këtë të drejtë? Kush jeni ju të angazhoni spiunë për të shantazhuar njerëz për të quar mjegull dhe për të shmangur opinionin? Kush jeni ju që i jepni vetes të drejtë të ngrisni teori konspiracioni për të hutuar opinionin? Pse e keni mashtruar opinionin se e keni shuar SHIK-un?”, ka pyetur Selimi.
Për më tepër, ai ka shtuar se me mbarimin e luftës është menduar se do të mbarojë përfshirja e agjentëve në politikë, por, sipas tij, kjo nuk paska përfunduar. Madje, Selimi ka thënën se ngritën disa pyetje duke u ditur se ato janë shpifje që nuk kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën.
Deputeti Selimi ka thënë se nuk i përgjigjen SHIK-ut, pasi sipas tij, këta të fundit, duhet t’i përgjigjen drejtësisë dhe qytetarëve. /Kosovapress/