E Diel, 1 Nëntor 2026

Burns: Serbia duhet ta njoh Kosovën

“Mendoj se do të jetë e rëndësishme që Serbia ta njohë plotësisht të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si një shtet i pavarur. Mua kjo më duket si hapi i parë elementar që duhet të ndërmerret”, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Nicholas Burns, ish nënsekretar amerikan i Shtetit, aktualisht profesor në “Harvard Kennedy School”.

Sipas tij është pozitive që Kosova dhe Serbia të bisedojnë.

“Kjo gjithmonë është një gjë e mirë, marrë parasysh historinë tragjike midis dy palëve; është gjithmonë mirë që të përkushtohen për zgjidhje paqësore mbi cilat do dallime që ekzistojnë mes tyre”, ka pohuar Burns duke shtuar se nuk e di nëse mund ta vlerësoj qëndrueshmërinë e cilitdo argument, por se është pozitive që bisedimet po zhvillohen.

“Mendoj se nëse Serbia dëshiron të ketë të ardhme në Bashkimin Evropian dhe në NATO – dhe Serbia do të duhej ta dojë këtë të ardhme – atëherë ajo duhet ta pajtojë vetën me faktin se Kosova është e pavarur dhe me faktin se çfarëdo dallimi që ekziston midis dy vendeve, duhet të adresohet me mjete paqësore, negociata, kompromise dhe assesi me kërcënime”, ka shtuar Burns.

Duke folur për fazën e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, Burns ka thënë se ky është një proces normal, për të cilin shumëkush ka shpresuar se do të mund ta arrijë.

Në pjesën e fundit, Burns ka shtuar se komuniteti ndërkombëtar, NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, kanë përgjegjësi për të vazhduar që të jenë të angazhuar në nivelin e mbështetjes së pavarësisë së vërtetë të Kosovës dhe të mbështesin përfshirjen e Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›