E Diel, 1 Nëntor 2026

“Faruku” trajtohet për sëmundje mentale, s’ka gjykim

Fahredin Gashi vazhdon të trajtohet si i sëmurë në spitalin e Burgut të Dubravës. Aty po mbahet që shumë muaj. I akuzuari në rastin “Bllaca I” dhe “Bllaca II” nuk dihet se kur do të gjykohet për veprat penale për të cilat shokët e tij janë dënuar më 54 vjet burgim. Procesi gjyqësor kundër tij ishte ndarë në shtator të vitit të kaluar, pasi nuk po reagonte më në gjykatore.

Trupi gjykues që ka gjykuar atë së bashku me Shpresim Ukën, Sadik Abazin, Bekim Sylën, Shaban Sylën e Driton Hajdarin nuk do ta ketë më rastin kundër tij. EULEX-i ka thënë se trupi gjykues është ndërruar dhe për këtë arsye nuk ka folur as për gjendjen e tij shëndetësore e as për nisjen e mundshme të gjykimit.

“Trupi gjykues është ndërruar dhe ende nuk është caktuar trupi i ri gjykues”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Avokati i tij, Tahir Rrecaj, thotë se gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar. “Përkundrazi, është rënduar”, thotë ai, shkruan Koha ditore.

Rrecaj ka thënë se Faruk Gashi i njohur edhe me nofkën “Faruku” është në trajtim mjekësor vazhdimisht prej që ka shkuar në Burgun e Dubravës, qe një vit e gjysmë.

“Kam kërkuar që të bëhet një superekspertizë, sepse ato raportet mjekësore të burgut nuk janë të sakta. Gjyqtarët e EULEX-it të cilët e kanë aprovuar kërkesën time që të veçohet e kanë dhënë një urdhër që të bëhet një superekspertizë. E kam bërë edhe një kërkesë më vonë, por nuk më janë përgjigjur ende”, ka thënë Rrecaj.

Fahredin Gashi ishte dënuar më 18 vjet burgim për vrasjen e Salih Gashit më 15 qershor 1999. Vrasjen e kishte kryer së bashku me dëshmitarin bashkëpunues Nazim Bllaca.

Avokati Tahir Rrecaj ka thënë se ende nuk është caktuar seanca në Gjykatën e Apelit për këtë rast, ku do të shqyrtohet ankesa e tij kundër aktgjykimit të shkallës së parë.

“Me këtë gjendje nuk mund t’i nënshtrohet procesit gjyqësor dhe duhet një superekspertizë”, ka insistuar Rrecaj.

Ai ka thënë se nëse kontrollet e tjera konstatojnë se është i paqëndrueshëm mendërisht, kundër Gashit duhet të pushohet procedura dhe të dërgohet në një qendër të specializuar për trajtim të detyrueshëm.

Rasti i Fahredin Gashit ishte ndarë nga të tjerët në shtator, pasi gjendja e tij mendore ishte konstatuar se është e rëndë. Bazuar në një komunikim dhe në raportet mjekësore, trupi gjykues kishte marrë vendim që ta veçojë lëndën kundër Fahredin Gashit dhe të vazhdojë me të pandehurit e tjerë.

Gati katër muaj pas veçimit të këtij rasti, Gjykata e Qarkut e Prishtinës për një vrasje të rëndë dhe një vrasje të rëndë në tentativë pati dënuar pesë persona me 54 vjet burgim.

Shpresim Uka ishte dënuar më 15 vjet burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit në qershor të vitit 1999 dhe vrasje të rëndë në tentativë të Adem Salihajt. Sadik Abazi ishte dënuar më 12 vjet për vrasje të rëndë të Ibush Kllokoqit. Bekim Syla po ashtu më 12 vjet për vrasjen e Ibush Kllokoqit. Kushëriri i tij Shaban Syla ishte dënuar më 8 vjet burgim për vrasjen në tentativë të Adem Salihajt e Driton Hajdari për përfshirje në këto dy krime është dënuar më 7 vjet burgim.

Akuzës për vrasje të rëndë të Ismet Arifit, për çka akuzoheshin Sadik Abazi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla, i ishte ndryshuar kualifikimi në rrëmbim në tentativë. Ndryshimi ka bërë që vepra të vjetërsohet dhe askush të mos gjykohet për këtë vepër. Të pestët kanë qenë të akuzuar për krime në cilësinë e anëtarëve të Shërbimit Informativ të Kosovës, shërbim ky i udhëhequr për një dekadë nga Kadri Veseli dhe i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës në pushtet.

Pjesëmarrës në këto krime kanë qenë edhe zbuluesi Nazim Bllaca, si dhe i akuzuari Fahredin Gashi. Bllaca për dy raste është shpallur dëshmitar bashkëpunues, ndërsa rasti kundër Fahredin Gashit ishte veçuar. Prej asaj dite Shpresim Uka, Bekim Syla e Driton Hajdari janë në arrati. Ditë më parë Shpresim Uka ka folur në një intervistë për emisionin “Pa rrotlla” në RTK nga një odë me oxhak. Ai ka akuzuar Prokurorinë dhe mediet pse është dënuar ai. Qëllimi i Prokurorisë, sipas tij, nuk ka qenë te ai, por te Azem Syla e Kadri Veseli.

“Më kanë pyetur për Kadri Veselin. Më kanë pyetur për të gjithë komandantët e zonave”, ka thënë ai. Sipas tij, nuk është drejtësi që dikujt t’i merren 15 vjet të jetës vetëm në bazë të deklaratave, siç ka thënë ai, të një psikopati (Nazim Bllaca v.j.).

“Ata e dinë se unë nuk jam i rëndësishëm, por nëse japin shumë të madhe, mund ta ndajmë përgjysmë, e po shkoj atje”, ka thënë ai.

Nazim Bllaca vazhdon të jetë i siguruar në shtëpinë e tij në Ribar të Madh të Lipjanit. Ende nuk dihet kur do të gjykohet për vrasjen e Ibush Kllokoqit. Bllaca ka thënë të enjten se shoku i tij Fahredin Gashi është shumë mirë, por po shtirët.

“Në fillim me quanin mua të çmendur, tash po bëhen ata t’u mundu me i pshtu burgut”, ka thënë ai.

Aktakuza në rastin “Bllaca” ishte ndarë në tri pika. Për vrasjen e Ibush Kllokoqit akuzoheshin Sadik Abazi, Bekim Syla, Fahredin Gashi dhe Shpresim Uka. Për vrasjen në tentativë të Ismet Arifit; Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla, ndërsa për vrasjen po ashtu në tentativë të Adem Salihajt; Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Shaban Syla.

Pika e parë e aktakuzës që është gjykuar si e bazuar nga trupi gjykues thotë se Sadik Abazi, Bekim Syla, Fahredin Gashi dhe Shpresim Uka në bashkëkryerje me Nazim Bllacën i deklaruar si dëshmitar, kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë, duke e privuar nga jeta Ibush Kllokoqin, të cilin e kanë qëlluar me gjashtë plumba.

Pika dy e aktakuzës i ngarkonte Sadik Abazin, Fahredin Gashin, Shpresim Ukën, Driton Hajdarin dhe Bekim Sylën, të cilët sipas dy prokurorëve në bashkëkryerje me Nazim Bllacën kanë tentuar ta vrasin anëtarin e LDK-së, Ismet Arifi.

Por kjo akuzë është ndryshuar në tentativë rrëmbimi.

Pika e tretë i ngarkonte Shpresim Ukën, Driton Hajdarin dhe Shaban Sylën në bashkëkryerje me Nazim Bllacën për vrasjen në tentativë të Adem Salihajt, ish-kryetar i Komunës së Ferizajt nga radhët e LDK-së.

Hetimet mbi veprimtarinë e të pandehurve bazohen në pohimet tashmë të dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca. Në nëntor 2009 u publikua një DVD nga Adem Salihaj e Gani Geci. Në këtë DVD, Nazim Bllaca akuzonte vetveten dhe persona të tjerë për disa vrasje dhe vrasje në tentativë. Ndërmjet të tjerash ai kishte akuzuar edhe veten se kishte marrë pjesë në vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe në tentativën për vrasjen e Ismet Arifit dhe të Adem Salihajt. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›