E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Ministër jeni vonuar, shitni xhipat!

 Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë sot ka organizuar një aksion, në oborrin e Kuvendit Komunal të Malishevës, gjatë vizitës së Ministrit të Shëndetësisë Ferid Aganit.

Sipas Vetëvendosjes, aksioni “Ministër jeni vonuar shitni Xhipat”, është aksion protestues që ka për qëllim demaskimin dhe ndërgjegjësimin e pushtetit dhe ministrit të shëndetësisë i cili me një profesion fisnik e human nuk ka arritur ta shëroj shëndetësinë por është kujdesur ta mbaj të sëmur dhe në koma.

Po ashtu, sipas tyre, ky pushtet në vazhdimësi ka injoruar gjendjen e qytetarëve të Malishevës dhe komunave për rreth, lidhur me problemin e etheve hemorragjike që vetëm këtë vit mori jetën e 5 qytetarëve të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se vetëm në vitin 2013 deri në këtë moment janë të regjistruara rreth 2700 raste të pickimeve nga rriqrat, me 14 raste të konfirmuara me ethe hemorragjike, ku si pasojë kanë humbur jetën 5 persona dhe të tjerët janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Të gjitha këto nuk ua kanë prishur qetësinë qeveritarëve të papërgjegjshëm që shëtisin me xhipa, duke injoruar problemin e qytetarëve të Malishevës dhe komunave për rreth. Sipas informatave të fundit në kliniken infektive në QKUK nuk ka më doza të ribavirines si mjeti i vetëm kundër këtij virusi fatal. Gjithashtu mungojnë edhe mjetet tjera me elementare për t’u përballur me këta të sëmurë duke rrezikuar edhe personelin shëndetësore që po merret me këto raste. Ky është skandal dhe ministri e kryeministri duhet të largohen për korrupsion dhe keqmenaxhim. Përmes këtij aksioni ne kërkojmë me urgjencë që të zbatohet plani për eliminimin e kësaj sëmundje. Të mobilizohemi dhe të bëhet gjithçka që është në dorën dhe vullnetin e njerëzve për ketë problem, i cili po merr jetë të qytetarëve tonë. Është koha e fundit që ky problem të trajtohet me seriozitetin që e meriton. Si qytetarë të Malishevës ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve relevante që të bëhet e pamundura për të na dalë në ndihmë. Kërkojmë përgjegjësi për gjendjen rënd. Ministër kujdes nga rriqrat pasi jeni në një zonë endemike për të cilën shumë vonë jeni informuar”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes, duke shtuar se në Malishevë sot askush nuk është i sigurt./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›