E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Serbia vendimmarrëse, Thaçi e Jahjaga zbatues

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se një prej përgjegjësive kryesore të Presidentes së Republikës së Kosovës është shpallja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë. Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë, neni 4.1 saktëson edhe më tutje duke përcaktuar se “Pas konsultimit me partitë politike, Kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale”.

Lëvizja Vetëvendosje konstaton se, pas konsultimit me partitë politike, Presidentja Jahjaga nuk i shpalli zgjedhjet. Zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2013 i shpalli Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç. Ai tregoi se me Thaçin ishin dakorduar që zgjedhjet të mbahen me 3 nëntor të këtij viti. Tash Jahjagës i ka mbetur që të zbatoi këtë vendim të Daçiçit ditëve në vijim, përkundër dëshirës për një datë tjetër pothuajse nga të gjitha subjektet politike.

“Dje, në Beograd, Zëvendëskryeministri i Serbisë, Vuçiç deklaroi se pala serbe tashmë ka emëruar komandantin e Policisë për veriun e Kosovës. Në fakt, ata kishin dhënë dy emra dhe Brukseli kishte pranuar njërin prej tyre dhe për Vuçiçin tashmë ky person është i emëruar. Pritet që gjatë ditës së sotme, drejtori i policisë, Shpend Maxhuni ta zbatoj këtë vendim të Vuçiçit”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas kësaj lëvizje, po ashtu, tashmë është konfirmuar se qytetarët e Serbisë do të mund të votojnë në të ardhmen me dokumente të lëshuara nga shteti serb. Kur kësaj ja shtojmë edhe faktin se me marrëveshjet e mëhershme të negociatores Tahiri, Kosova ka pranuar që t'i marrë kopjet e librave amzë nga Serbia, dhe duke ditur që origjinalet janë në Serbi, tanimë Serbia do ta kontrollojë edhe numrin e votuesve që do të ketë ndikim të madh edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›