Kurti: Hoxhaj po i ikë raportimit në Komision

Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Albin Kurti e ka cilësuar të papërgjegjshëm vendimin e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj për të mos raportuar para këtij komisioni. Kurti ka thënë se është tërësisht e papërgjegjshme që konfirmimi për raportim të bëhet të premten, ndërsa të anulohet të hënën.“Si është e mundur që Hoxhaj të premten pasdite nuk ka qenë i njoftuar për udhëtimin që do ta ketë të hënën. Udhëtimet zyrtare janë të planifikuara dhe nuk dalin papritur. Edhe nëse ndodh, raportimi në Komision parimisht ka prioritet”, ka theksuar Kurti.
Sipas Kurtit, duket që ministri Hoxhaj nuk dëshiron të vijë për të raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme, sidomos jo para ratifikimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiq dhe sidomos jo për çështjen e dorëheqjes së Lulzim Peci dhe qëndrimet e mëpastajme të MPJ-së për këtë çështje.
“Në mbledhjen e sotme është pritur që ky raportim i ministrit lidhur me aktivitetet e MPJ, me theks të veçantë, të përqendrohet në Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje, si dhe lidhur me dorëheqjen e shefit të Misionit të posaçëm të Kosovës në Beograd, Lulzim Pecit”, ka sqaruar Kurti.
Kabineti i ministrit Hoxhaj, siç transmeton Telegrafi, ka njoftuat sot se ministri e ka të pamundur të raportojë në Komision, siç ishte e paraparë, meqë sot do të udhëtojë për në Luksemburg ku mbahet takimi i të gjithë ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të BE-së./Indeksonline/