E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: Thaçi nuk na ka ftuar

(E plotësuar)Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në takimin që kryeministri e ka mbajtur me zyrtarë të opozitës, për të raportuar për takimin me kryeministrin serb Ivica Daçiq.

Kurse Vetëvendosje ka thënë se kjo që ka thënë kryeministri Thaçi nuk është e vërtetë dhe se nuk kanë marrë një ftesë të tillë nga kreu i ekzekutivit.

“E vetmja ftesë ka qenë ajo e Hajredin Kuçit, të cilës ju kemi përgjigjur me ftesë për debat televiziv në mes Thaçit dhe Kurtit. Që atëherë nuk u bënë më të gjallë!” ka thënë për Indeksonline sekretari për media i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi.

Kryeministri Thaçi ka thënë se ai është i kënaqur me reagimin e pjesës tjetër të opozitës në Kosovë, pas raportimit që ai ka bërë lidhur me takimin e fundit me kryeministrin Ivica Daçiq.

Thaçi: informova LDK e AAK, Vetëvendosje nuk deshi

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur të mërkurën ka folur për prezantimin e Projektbuxhetit për vitin 2013 që do të jetë në seancën e nesërm në Kuvend. Po ashtu, ai ka informuar ministrat edhe për takimet që ka pasur me liderët e opozitës të LDK-së dhe AAK-së.

Kryeministri ka thënë se ky projektbuxhet është për përmirësimin e jetës qytetarëve të vendit.

“Ky është një buxhet i progresit dhe zhvillimit, i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, buxhet i mundësive të reja për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, por edhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit”, ka theksuar Thaçi.

Në anën tjetër, ai ka thënë se të premten do të informojë Kuvendin e Republikës së Kosovës për takimin e dytë që ka zhvilluar në Bruksel me kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Po ashtu, ai ka shtuar se sot ka zhvilluar takime edhe me liderët e opozitës, ata të LDK-së dhe AAK-së, ndërsa ata të Lëvizjes Vetëvendosjes nuk janë përgjigjur kësaj ftese.

“Unë sot kam informuar edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, i falënderoj të gjithë për mbështetje të plotë dhe unike. Po sot kam njoftuar liderët dhe përfaqësuesit e opozitës kosovare, liderin e LDK-së dhe nënkryetarin e AAK-së, Shala. Spektri tjetër opozitar i përfaqësuar në parlament ka qenë i ftuar, por ka munguar përgjigja pozitive”, ka deklaruar ai.

Ndryshe në kabinetin qeveritar është miratuar Projektligji për Transplantin e Organeve.

Po ashtu, është miratuar Projekt-rregullorja për kriteret mikrobiologjike në produktet ushqimore, gjithashtu është miratuar edhe Propozim-vendimi për reduktimin dhe ndarjen e mjeteve financiare në pajtim me nenin 13 të ligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2012.

Gjithashtu, është miratuar edhe Propozim-vendimi përfundimtar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdar, sektori 1.2 dhe 5.2 zonat kadastrale Zhur dhe Dushanovë, Komuna e Prizrenit dhe zona kadastrale Bllacë, komuna e Suharekës.

Thaçi informon LDK'në e AAK'në për takimin me Daçiqin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takime të ndara kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala.

Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrisë thuhet se Thaçi ka njoftuar dy zyrtarët për takimin e dytë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të mbajtur javën e kaluar në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Thaçi ka theksuar se nga të gjitha temat që janë diskutuar, më me prioritet është trajtuar çështja e të pagjeturve, për t’u pasuar nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe nga strukturat paralele në veri.

“Zhbërja e strukturave ilegale të sigurisë që funksionojnë në veri të vendit është kushti kyç që duhet të përmbushë Serbia në raport me Bashkimin Evropian për të bërë progres drejt integrimit në BE”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrisë.

“Ishte konstatim i përbashkët se ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi që është edhe mundësia dhe rruga e vetme që normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, nga e cila do të përfitojnë jo vetëm qytetarët e të dy vendeve, por edhe i gjithë rajoni”, thuhet më tej në komunikatë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›