E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Nga Express më 28 korrik 2011 në ora 11:30

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar disa pika për tejkalimin e situatës së rëndë në veri të Kosovës, përfshirë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga presidentja e vendit.

“Me vendimin e 25 korrikut të vitit 2010, Policia e Kosovës i kishte marrë pikat 1 dhe 31 të kufirit të Kosovës që nuk i kishte në kontroll që pas shpalljes së pavarësisë. Me këtë veprim, Policia e Kosovës ka dëshmuar se është e mundur që këto pika të vihen nën kontrollin e institucioneve të Kosovës. Por, Qeveria s’kishte plan me disa hapa, por duket se ajo pati veçse një hap pa plan”, thuhet në një komunikatë të VV-së.

“Gjatë këtyre ditëve, u pa gatishmëria e popullit, policisë dhe mekanizmave tjerë shtetërorë të Kosovës për të vendosur rend dhe ligj në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por, me gjasë Qeveria s’është e gatshme për këtë gatishmëri”.

Lëvizja Vetëvendosje rikujton se herët në mëngjes me 26 korrik pat shprehur gatishmërinë dhe interesimin e të gjithë aktivistëve dhe anëtarëve të saj të kontribuojë në bashkimin, organizimin dhe mobilizimin e gjithëmbarshëm të qytetarëve, institucioneve dhe subjekteve politike e shoqërore për ta mbrojtur Kosovën, e për ta mbështetur policinë që po e mbronte Kosovën. “Edhe pse nuk ishim njoftuar e ftuar në planifikim, as në vendim e as në zbatim, ne shprehëm gatishmërinë tonë të kontribuojmë. Por, qeveria ka vazhduar e vetme dhe pa ndonjë plan, prandaj tani po e bën të kundërtën e asaj që ne e thamë: Qeveria negocioi dhe vazhdon ta negociojë zmbrapsjen”.

Policia e Kosovës dhe njësitë e saj në veri nuk u zmbrapsën prej strukturave ilegale të Serbisë atje, por ato i tërhoqi me urdhër Kryeministri Thaçi dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE për shkak të situatës së rëndë në veri të Kosovës propozon pikat në vijim:

Në bazë të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidentja e Vendit duhet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Në përputhshmëri me këtë nen, Kosova ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes (neni 131, paragrafi 1, pika 1), si dhe ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike (neni 131, paragrafi 1, pika 2). Në ditët e kaluara, institucionet e Kosovës janë sulmuar me armë të ndryshme nga struktura paralele të financuara nga shteti i Serbisë, si dhe është cenuar rëndë sovraniteti i shtetit të Kosovës duke u sulmuar drejtpërdrejtë pikat kufitare të shtetit tonë.

Të ndërpritet menjëherë dhe zyrtarisht procesi i bisedimeve me Republikën e Serbisë, dhe të iniciohet sa më shpejtë aktivizimi i gjitha resurseve qytetare dhe institucionale për mbrojtjen e Kosovës.

Në ditët në vijim, Kosova duhet që në këtë situatë emergjente të thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian që na kanë njohur, si dhe Turqinë për strategjinë e ushtrimit të autoritetit të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e shtetit tonë.

Republika e Kosovës menjëherë të fillojë diskutimet me Brukselin për përfundimin e misionit të EULEXit, dhe ridefinimin e pranisë së BE-së në Kosovë, nga misione me fuqi ekzekutive dhe imunitet prej ligjit, në misione mbështetëse për zhvillim të qëndrueshëm, demokraci e drejtësi. Siç kemi thënë rregullisht në tre vitet e fundit, EULEX në thelb është mision i padrejtë, jo-demokratik dhe nuk e forcon shtetin e Kosovës dhe ngjarjet e fundit vetëm se e kanë dëshmuar këtë edhe në praktikë.

Në seanca të vazhdueshme me Kuvendin e Kosovës, qeveria ta diskutojë strategjinë e marrjes së kontrollit në veri të vendit.

Lëvizja VETËVENDOSJE edhe njëherë thotë që vetëm bashkimi, organizimi dhe mobilizimi i gjithëmbarshëm i qytetarëve, institucioneve dhe subjekteve politike e shoqërore për ta mbrojtur Kosovën, e për ta mbështetur policinë dhe institucionet e tjera që ta mbrojmë Kosovën, është rruga e duhur përpara drejt zgjidhjes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›